Miliarderi rus Oleg Deripaska thotë se Rusia do ta ketë bosh arkën e saj vitin që vjen dhe i duhen investime nga vendet “mike” që të thyej sanksionet që i janë vendosur asaj.
“Nuk do të ketë më para vitin që vjen”, tha Deripaska në Forumin Ekonomik në Siberi. “Ne na duhen investitorë të huaj”.
Fondet po bien dhe “kjo është arsyeja pse ata po na ‘shkundin’ ne tani”, tha Deripaska që drejton United Co, Rusal International PJSC, prodhuesi më i madh i aluminit në botë, pas Kinës.
Komentet e Deripaska-s janë ndër më të sinqertat nga një udhëheqës i shquar biznesi, ndërsa qeveria kërkon të ushtrojë presion mbi kompanitë e mëdha pasi e mbylli vitin e kaluar me një deficit fiskal rekord dhe buxhetin ende në të kuqe për të filluar 2023-shin.
Autoritetet po planifikojnë një rritje të të ardhurave duke propozuar ndryshime në taksimin e kompanive të naftës dhe mund të marrë më shumë para nga prodhuesit e tjerë të mallrave.
Ndërkohë që Rusia pa një vrull të papritur në shpenzimet kapitale vitin e kaluar, perspektiva është bërë më e zymtë, veçanërisht pasi shpenzimet masive ushtarake kanë shtrënguar financat publike.
Deripaska, që është sanksionuar nga SHBA-ja që nga 2018-a, u sanksionua dhe nga Europa një vit më parë, pas pushtimit të Ukrainës. Me zë të lartë për çështjet e politikës ekonomike, ai bëri thirrje për paqe në javët pas pushtimit, por ka mbajtur një qëndrim më të kujdesshëm ndaj luftës në muajt e fundit.
Duke folur të enjten, Deripaska tha se ndërtimi i “kapitalizmit shtetëror nuk është një opsion” dhe paralajmëroi për presion “serioz” nga sanksionet.
“Rusia duhet të vazhdojë të zhvillojë ekonominë e tregut,” – tha ai. “Një investitor i huaj do të shikojë se si një investitor rus fiton para, çfarë kushtesh ekzistojnë.”
Vendet që mburren si “burime serioze” mund të dalin si partnerë të mundshëm për Rusinë, tha Deripaska. Qeveria duhet të sigurohet që Rusia të jetë tërheqëse për investitorë të tillë duke siguruar një klimë të sigurt biznesi me më shumë liri ekonomike dhe konkurrencë, sipas manjatit.
Edhe me shumë nga ekonomitë më të mëdha në botë të vendosura kundër Rusisë, ajo ende ruan aksesin në tregjet me një popullsi prej 4.5 miliardë banorësh dhe që përbën 30 trilionë dollarë të prodhimit të brendshëm bruto global, tha ai.
“Ne menduam se ishim një vend europian,” tha Deripaska. “Tani, për 25 vitet e ardhshme, ne do të mendojmë më shumë për të kaluarën tonë aziatike.”/Bloomberg
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje