Shqipëria ka marrë më në fund dritën jeshile për hapjen e negociatave nga Këshilli Europian, me kusht që të bëjë “një mal” me “detyra shtëpie”.
Ministrja e Jashtëm të Bashkimin Europian kanë rënë dakord sot njëzëri që të japin dritën jeshile për çeljen e bisedimeve me Bashkimin Europian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Lajmi është konfirmuar edhe nga Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, i cili thekson se ky vendim është një mesazh i rëndësishëm për dy vendet që e ardhmja e tyre është në Bashkimin Europian.
“Shumë i kënaqur që vendet anëtare të BE-së arritën sot një marrëveshje politike për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Unë i uroj me gjithë zemër të dy vendet. Ky është një mesazh se Ballkani Perëndimor: E ardhmja juaj është në BE”, shkruan ai.
Negociata me kushte
Në draftin final të Këshillit Europian, ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare rekomandojnë hapjen e negociatave me Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian në samitin që do të mbahet në Zagreb në muajin maj.
Por para konferencës së parë të negociatave, Këshilli kërkon nga Shqipëria që të plotësohen tre kushte: Reforma zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE, ngritja dhe funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë pas marrjes së opinionit nga Komisioni i Venecias dhe rezultatet e para në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit nga organet e reja të drejtësisë.

Kriteret e vendosura duket se përmbledhin kushtet e vëna në tavolinë nga Holanda, Greqia dhe Franca për të mos vënë veton për negociatat.
“Mbetet prioritet që Shqipëria duhet t’i kundërvihet fenomenit të kërkesave të pabazuara për azil dhe të sigurojë riatdhesimin”,thotë drafti.
Më tej KE vendos një liste të gjatë kushtesh që duhet të plotësojë vendi ynë, duke filluar me dënimin e shitblerjes së votave, censusi i popullsisë, ligii për minoritetet dhe duke përfunduar me vendimi përfundimtar për ligjshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019.
“Përpara konferencës së parë ndërqeveritare, Shqipëria duhet të miratojë reformën elektorale në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, të sigurojë një financim transparent të partive politike dhe fushatave elektorale, të sigurojë zbatimin e vazhdueshëm të reformës gjyqësore, duke siguruar funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, duke marrë parasysh ekspertizën e rëndësishme ndërkombëtare, që përfshin opinionet e Komisionit të Venecias dhe të përfundojë krijimin e strukturave të specializuara kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit”,thekson drafti. Kuadri i negociatave duhet të miratohet nga Këshilli dhe duket të pasqyrojë faktin që Shqipëria i ka zbatuar me sukses pesë prioritete, të tilla si: nisjen e procedurave penale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë akuzuar gjatë procesit të Vettingut për sjellje kriminale, nisjen e procedurave ndaj personave të akuzuar për blerje të votës, një goditje të dukshme të krimit të organizuar e korrupsionit në të gjitha nivelet, duke përfshirë nisjen e procedurave dhe plotësimin e procedimeve të para ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë e politikanëve, progres të dukshëm në reformën e administratës publike, zbatimin e reformës së ligjit elektoral, si dhe vendimin përfundimtar rreth ligjshmërisë së zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019, po ashtu sikurse edhe përparim të mëtejshëm në zbatimin e mbetur të legjislacionit të vitit 2017 lidhur me kuadrin ligjoe në mbrojtje të pakicave kombëtare, miratimin e ligjit për censusin e popullsisë në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe përparim në procesin e regjistrimit të pronave”, përfundon drafti.

Kushtet e Holandës
Holanda duket se e ka bërë të qartë gjatë mbledhjes së ambasadorëve të BE-së nuk do të japë dritën jeshile për hapjen e negociatave me Shqipërinë pa u plotësuar tre kushte kryesore, të cilët do t’i shtohen atyre të vendosura nga Bundestangu gjerman.
Qeveria holandeze ka kërkuar që Shqipërisë t’i hapen negociatat por me kusht që të fillojë funksionimin Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe të thellohet lufta kundër krimit dhe korrupsionit, kushte që pasqyrohen edhe në draftin final të KE-së.
Burime nga Berlini i thanë më herë Gazetës “Si” se qeveria gjermane ka qënë kundër vendosjes së kushteve të tjera shtesë për Shqipërinë dhe është përpjekur ta bindë Holandën për t’i tërhequr.
“Brenda BE-së, një shumicë e madhe është në favor të fillimit të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Franca gjithashtu ka hequr dorë nga kundërshtimi i saj për pranimin e Shqipërisë. Si rezultat, Holanda po mbetet më shumë mbetet vetëm” , shkruajnë sot mediat holan deze. “Më tepër rezistencë ka pasur ndaj Shqipërisë, pasi duhet të bëhet më shumë në fushat e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit” thonë mediat holandeze.
Kushti i Francës
Në draftin e KE-së pasqyrohej edhe kushti i vendosur nga Franca: riatdhesimi i azilkërkuesve.
Ky kusht nuk është suprizë, pasi mediat europiane kishin raportuar prej kohësh se Presidenti Emmanuel Macron do të japë miratimin për hapjen e negociatave vetëm nëse Shqipëria nënshkruan një dokument për riatdhesimin e të gjithë azilkërkuesve nga Franca”.
Një zyrtar i lartë europian, duke folur në kushte anonimiteti, ka zbuluar një muaj më parë se Franca nuk është mjaftuar vetëm me ndryshimin e metodologjisë së zgjerimit, por ka vendosur si kusht edhe zgjidhjen e çështjes së azilkërkuesve.
“Franca ka vënë si kusht për të tërhequr veton ndaj negociatave me Shqipërinë riatdhesimin e të gjithë azilkërkuesve nga vendi i vogël i Ballkanit Perëndimor”, shkruan gazeta e njohur europiane “Euractiv”.

Lajmi duket se është konfirmuar sot në draftin zyrtar të Këshillit Europian, pasi të njëjtit shqetësim i është bashkuar edhe Holanda, e cila po ashtu kërkon që qeveria shqiptare të riatdhesojë azilkërkuesit.
Në tetor, Franca bllokoi fillimin e negociatave zyrtare të pranimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut kundër dëshirave të shumicës së anëtarëve të tjerë të BE-së. Në konferencën e përbashkët me kancelaren gjermane Angela Merkel, Presidenti francez, Emmanuel Macron konfirmoi se qëndrimi i Parisit për të mos hapur negociatat as me Shqipërinë dhe as me Maqedoninë e Veriut lidhet me kërkesat e larta të azilkërkuesve shqiptarë në Francë.
“Është e vështirë ti shpjegoj francezëve që do ti hapin negociatat Shqipërisë sepse Shqipëria cilësohet si një vend i sigurt dhe nuk mund ta shpejtoj pse kemi probleme me azilkërkuesit nga një vend i sigurt. Nuk mund të bëj gjëra që francezët e kanë të pamundur ta kuptojnë”, tha Macron.
Kushti i Greqisë
Athina zyrtare ka kërcënuar prej kohësh qeverinë shqiptare me vendosjen e vetos për negociatat nëse nuk sigurohet respektimi i minoritetit grek.
Madje, këtë javë Greqia nuk ka dhënë fillimisht miratimin për negociatat me vendin tonë.
Greqia nuk ishte pro hapjes se bisedimeve para fundjavës, por burimet diplomatike thanë që Athina ka dhënë aprovimin e saj pasi drafti i fundit përfshinte gjuhë më të fortë për mbrojtjen e pakicave greke dhe të tjera pakica kombëtare në Shqipëri. Të drejtat e minoritetit grek në Shqiqëri kanë qënë prej kohësh kushti kryesor i kryeministrit grek Qiriakos Mitsotaqis në këmbim të dritës jeshile për negociatat.
E papritura ka ardhur nga Greqia, e cila mësohet se ka vënë dy kushte. Kushti i parë ka të bëjë me regjistrimin e popullsisë, ndërsa kushti i dytë rishikimi i ligjit për pronat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje