Bota

Ministrja e Macron në kopertinën e revistës “Playboy”, kur vendi po digjet

Një lajm ka shkaktuar shumë polemika në Francë

Marlene Schiappa është sekretare Shteti për Ekonominë Sociale dhe në mandatin e parë të Emmanuel Macron ishte ministre e Shanseve të Barabarta.

Ministrja e qeverisë franceze, Marlene Schiappa është vënë nën kritika nga anëtarët e partisë së saj pasi u shfaq në faqen kryesore te revistës Playboy.

Schiappa, u shfaq në kopertinën e revistës për të shoqëruar një intervistë prej 12 faqesh që ajo bëri për të drejtat e grave dhe LGBT. Ajo është fotografuar e veshur me një fustan të bardhë.

Schiappa ka qenë  avokate për një kohë të gjatë për të drejtat e grave dhe u emërua si Ministrja e parë e Barazisë Gjinore në vend në vitin 2017. Në këtë rol, ajo udhëhoqi me sukses një ligj të ri për ngacmimin seksual, i cili lejon gjobat për burrat që thërrasin, ngacmojnë ose ndjekin gratë në rrugë.

Por paraqitja e saj ka sjellë kritika nga kolegët politikë, përfshirë kryeministren franceze Elisabeth Borne.

Borne i tha asaj se “nuk ishte e përshtatshme, veçanërisht gjatë kësaj periudhe”.

 Franca është aktualisht në grahmat e një krize politike dhe sociale të shkaktuar nga masa e presidentit francez Emmanuel Macron për të çuar përpara reformat e diskutueshme të pensioneve, pavarësisht kundërshtimit të gjerë publik.

Politikani francez, Jean Luc Mélenchon, i cili doli i treti në zgjedhjet presidenciale të 2022, kritikoi daljen e Schiappa-s dhe vendimin e presidentit francez Emmanuel Macron për të dhënë një intervistë për revistën për fëmijë, Pif Gadget, këtë javë.

Ndërsa Ministri i Brendshëm francez, Gérald Darmanin doli në mbrojtje të Schiappa-s gjatë një interviste me kanalin francez të lajmeve CNews të dielën duke e quajtur atë një “grua me karakter”.

“Doja të them se Marlene Schiappa është një politikane e guximshme femër që ka karakterin dhe stilin e saj që nuk është i imi, por unë e respektoj”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë