Në Minsk të Bjellorusisë zhvillohen prej datës 21 deri më 30 qershor Lojërat Olimpike Europiane, ku Shqipëria do të përfaqësohet me një ekip prej 12 sportistësh, të cilët do të konkurrojnë në 6 disiplina të ndryshme: boks, qitje, xhudo, mundje, çiklizëm dhe hark.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka pritur sot në një ceremoni të posaçme ekipin që do të përfaqësojë Shqipërinë në këto lojëra, duke dorëzuar flamurin kombëtar. Kreu i shtetit mbajti një fjalim të shkurtër, ku mes të tjerash theksoi para sportistëve se ata i kanë të gjithë mundësitë për rezultate pozitive. “Është kënaqësi e veçantë për mua t’ju dorëzoj sot Flamurin, me bindjen se ju jeni më të mirët për ta ngritur atë sa më lart në këto Lojëra mjaft të rëndësishme. Jemi që të gjithë krenarë për punën tuaj, për talentin dhe shpirtin tuaj të garës dhe ju uroj suksese, pasi ky është flamuri që bashkon të gjithë shqiptarët kudo në botë. Sporti ka treguar se ka ditur në momente të rëndësishme të ngrejë lart ndjenjën kombëtare përmes sukseseve dhe arritjeve, që nuk na kanë munguar dhe të cilat mezi po i presim tani në Bjellorusi. Shpresojmë t’ju takojmë edhe pas kësaj ngjarjeje të madhe për të festuar arritjet tuaja. Forca dhe suksese!” – tha Presidenti Meta.

Presidenti i Republikës ia dorëzoi flamurin kombëtar boksierit Krenar Zeneli, i cili është flamurmbajtësi i ekipit përfaqësues shqiptar në Lojërat Europiane të Minskut. “Ndihem shumë i nderuar, që do të jem unë flamurmbajtësi në këtë veprimtari madhështore. Shpresojmë t’i sjellim sa më shumë medalje vendit tonë dhe ta nderojmë në podiumin e Europës” – u shpreh boksieri Zeneli në emër të gjithë ekipit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje