Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar lejen e ndërtimit për Teatrin e ri Kombëtar.
Lajmin e ka bërë me dije kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Veliaj jep edhe detaje se si do të jetë Teatri i Ri.
“KKT @AlbGov sapo miratoi lejen për Teatrin e Ri Kombetar @CityOfTirana nga @BIGstertweets @BjarkeIngels
AUDITORIUM 635 vende, BLACK BOX i vogël 150 vende, BLACK BOX I madh 350 vende, AUDITORIUM në tarracë 500 vende, 2 kate parkim, 0 kulla në territor. Ecim para!”, shkruan kryebashkiaku në Twitter.
Teatri i ri do të jetë disa herë më i madh se i vjetri dhe do të ofrojë kushte sipas të gjithë standardeve. Ai do të ketë të dedikuar disa ambiente të posaçme për shfaqjet dhe aktorët. Gjithashtu, do të ketë një skenë teatri prej 630 metra katror dhe dy salla Black Box prej 200 metra katror secila.
Për artistët do të ketë një hapësirë prej 200 metra katror që do përdoret si sallë ndërrimi, një sallë provash prej 200 metrash katror, tualete dhe dushe si dhe një dhomë të gjelbër. Në shërbim të shfaqjeve të ndryshme artistike do ketë një dhomë instrumentesh muzikore, një depo materialesh skenike, një depo dekori, sallë teknikësh, etj. Gjithashtu, do të ketë sallë kursesh dhe të gjitha facilitetet për publikun.
Po kështu, Teatri i ri Kombëtar, përveç ambienteve të tjera ndihmëse, do të ketë edhe një parkim nëntokësor që do i shërbejë kësaj godine moderne.
Ky vendim i KKT-së vjen në një kohë kur Gjykata Kushtetuese nuk ka zbardhur ende vendimin në lidhje me padinë e kreut të shtetit Ilir Meta për prishjen e godinës së mëparshme.
Presidenti i Republikës ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese shfuqizimin e kalimit të pronësisë së teatrit nga Ministria e Kulturës tek Bashkia Tiranë dhe shfuqizim të procedurës së kontratës për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar.
Godina e Teatrit Kombëtar u shemb me datë 17 maj të vitit 2020, pak orë para se të gdhinte, ndërsa aktivistët për mbrojtjen e tij ishin në ambientet e teatrit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje