Komunitet

Mirëqenia/ Fëmijët shqiptarë vuajnë mungesën e pushimeve dhe makinës në familje

Një pjesë e fëmijëve shqiptarë vuajnë mungesën e një dhome gjumi të vetën, shumë prej tyre nuk janë në gjendje të bëjnë pushime me familjen ndërkohë që një numër i konsiderueshëm fëmijësh nuk kanë as makinë në familjen e tyre.

Këto janë të dhënat që dalin nga raporti kombëtar për Sjelljet e Shëndetshme tek fëmijët e moshës shkollore, raport i realizuar nga ekspertë të Fakultetit të Mjekësisë (Departamenti i Shëndetit Publik) dhe Institutit të Shëndetit Publik me mbështetjen e zyrës së UNFPA-së në Tiranë dhe Institutit Shqiptar të Shëndetit dhe Zhvillimit Shoqëror.

Sipas të dhënave të raportit, një në pesë fëmijë të moshës 11, 13 dhe 15 vjeç nuk kanë një dhomë gjumi të vetën, familja e një në tre fëmijë nuk ka asnjë makinë në shtëpi, gati një në pesë fëmijë nuk ka kompjuter në shtëpi, ndërkohë që vetëm një në katër fëmijë ka shkuar me pushime me familjen gjatë vitit të fundit.

Në pyetësorin e HBSC-së që iu shpërnda nxënësve, vlerësimi i shkallës së mirëqenies familjare konsistonte “në zotërimin e ndonjë makine në familje; nëse fëmijët kishin dhomën e tyre të gjumit; në numrin e banjave (tualeteve) në shtëpi; në të pasurit e një makine larëse për enët; në zotërimin e kompjuterëve, si dhe sa herë fëmijët kishin udhëtuar me familjarët e tyre për pushime gjatë vitit të kaluar.”

Makina në familjet shqiptare

Në lidhje me zotërimin e makinës në familje, në total, pothuajse një e treta e fëmijëve (32.4 përqind) raportuan se familjet e tyre nuk zotëronin një makinë. Pothuajse gjysma e fëmijëve (46 përqind) deklaruan se familjet e tyre zotëronin një makinë, ndërsa 22 përqind e fëmijëve kishin dy ose më shumë makina. Familjet që kishin djem rezultuan më shpesh se zotëronin një makinë, krahasuar me familjet që kishin vajza (35 përqind e vajzave raportuan se familjet e tyre nuk kishin në pronësi makinë në krahasim me 30 përqind të djemve).  Përsa i përket grup-moshës nuk kishte asnjë ndryshim statistikisht domethënës në zotërimin e vetëraportuar të makinave midis fëmijëve të moshës 11,13 apo 15 vjeç, pavarësisht një shpërndarjeje pak më të lartë të zotërmit të makinës (të paktën një makinë) midis të rinjve (15 vjeç).

A kanë dhoma gjumi fëmijët shqiptarë?

Përsa i përket zotërimit të dhomave të gjumit të fëmijëve, më shumë se një e pesta (21 përqind) e fëmijëve nuk kishin dhomën e tyre të gjumit krahasuar me 79 përqind që raportuan se kishin një dhomë të tillë.

Ka një diferencë statistikisht domethënëse, pothuaj në kufi midis djemve dhe vajzave, ku djemtë (80 përqind) raportuan më shumë se kishin dhomën e tyre të gjumit krahasuar me vajzat.

Lidhur me dallimet sipas grupmoshës, të rinjtë e moshës 15 vjeç vetëraportuan më shumë zotërimin e një dhome gjumi krahasuar me ata të moshës 13 vjeç dhe veçanërisht me 11 vjeçarët: përkatësisht 83 përqind, 82 përqind dhe 71 përqind.

Shumica e shqiptarëve, një banjë në shtëpi

Përsa i përket numrit të banjave (tualeteve) në shtëpi, në total, më pak se 3 përqind e fëmijëve raportuan se nuk kishin banjë (tualet), ndërsa shumica e tyre (60 përqind) deklaruan se kishin një banjë në shtëpitë e tyre.

Rreth 5 përqind e fëmijëve raportuan se kishin më shumë se dy banja. Nuk kishte dallime gjinore lidhur me numrin e banjave në shtëpi.

Djemtë, më shumë kompjutera sesa vajzat

Për sa i përket numrit të kompjuterave, në total, 17 përqind e fëmijëve raportuan se nuk kishin kompjuter në shtëpitë e tyre, ndërsa rreth 41 përqind e fëmijëve deklaruan se kishin një kompjuter.

Nga ana tjetër, 18 përqind e fëmijëve raportuan se kishin më shumë se dy kompjutera.

Në këtë pikë ka dallime gjinore domethënëse për numrin e kompjuterave në pronësi, ku djemtë raportuan një numër më të lartë sesa vajzat (vetëm 16 përqind e djemve raportuan se nuk kishin asnjë kompjuter në krahasim me 18 përqind të vajzave).

 Sipas grup-moshës, numri i të rinjve të moshës 15 vjeç që kishin kompjuter ishte më i lartë sesa fëmijët e moshave të tjera.

Shumica e shqiptarëve, pa makinë larëse për enët

Lidhur me praninë në shtëpi të një makine larëse për enët, rreth dy të tretat e fëmijëve (65 përqind) raportuan se nuk kishin një makinë të tyre në shtëpitë e tyre, krahasuar me 35 përqind të fëmijëve që raportuan se kishin.

 Ka një diferencë statistikisht domethënëse midis djemve dhe vajzave; më shumë vajza (rreth 70 përqind) raportuan se kishin makinë larëse për enët në shtëpi krahasuar me djemtë (59 përqind).

Për sa i përket ndryshimeve në moshë, numri i të rinjve 15 vjeç që kishin në shtëpi makinë larëse për enët ishte më i ulët krahasuar me ata të moshës 11 vjeç dhe veçanërisht me ata të moshës 13 vjec; përkatësisht 32 përqind, 35 përqind dhe 38 përqind.

Sa fëmijë shkojnë në pushime?

Lidhur me pushimet me familjen, në total, rreth 41 përqind e fëmijëve raportuan se nuk kishin bërë pushime me familjen gjatë vitit të kaluar, kundrejt një të katërtës që kishin bërë njëherë gjatë vitit të fundit pushime me familjen. Nga ana tjetër, një e pesta e fëmijëve raportuan se kishin bërë më shumë se dy herë pushime gjatë vitit të kaluar. Lidhur me numrin e pushimeve me familjen ka diferencë gjinore domethënëse.

Sipas grup-moshës u vu re se të rinjtë e moshës 15 vjeç raportuan më pak pushime me familjen krahasuar me moshat e tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë