Bota

Mitsotakis kërkon falje për përplasjen e trenave mes zemërimit publik

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka kërkuar falje për një nga aksidentet më të rënda të trenave në vend në vite, duke thënë se “Ne nuk mund, nuk do dhe nuk duhet të fshihemi pas gabimit njerëzor”.

Një tren pasagjerësh që transportonte më shumë se 350 persona u përplas me një tren mallrash të martën në mbrëmje në Tempi, pranë qytetit të Larisës, duke vrarë të paktën 57 persona dhe duke plagosur shumë të tjerë.

Demonstruesit kanë dalë në rrugë pas përplasjes vdekjeprurëse, duke protestuar për ngjarjen që ndodhi dhe për pasigurinë që shohin tek sistemi hekurudhor.

Trazirat e reja shpërthyen të dielën, me protestuesit që u përleshën me policinë në Athinë në skena që pritet të shihen në të gjithë vendin.

“Ky krim nuk duhet të mbulohet, ne do të jemi zëri i të gjithë të vdekurve”, ishte një nga sloganet gjatë protestës së së dielës në Athinë.

Në një deklaratë, Mitsotakis tha se “Si kryeministër i kam borxh të gjithëve, por mbi të gjitha familjarëve të viktimave, një keqardhje të madhe. Si personalisht, ashtu edhe në emër të të gjithë atyre që drejtuan vendin për vite të tëra”, tha Mitsotakis.

Deklarata e tij e fundit megjithatë tregoi se ka probleme sistematike në rrjetin hekurudhor grek, duke premtuar njoftime në ditët në vijim për “përmirësimin e menjëhershëm të sigurisë së hekurudhave”.

Greqia ka një rekord të dobët të sigurisë së pasagjerëve hekurudhor krahasuar me vendet e tjera në Europë, duke regjistruar shkallën më të lartë të vdekshmërisë hekurudhore nga viti 2018 në 2020 midis 28 kombeve në kontinent, sipas një raporti të vitit 2022 nga Agjencia e Bashkimit Europian për Hekurudhat.

Ministri i transportit i vendit dha dorëheqjen pas tragjedisë dhe një sindikatë e punëtorëve hekurudhor hyri në grevë, duke akuzuar qeverinë për neglizhencë të sistemit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë