Politike

Monako s’ka Parlament, në Shqipëri e marrin si model referues për ndryshimet Kushtetuese

Duke kapur dy momente nga procesi i konsultimeve për ndryshimet kushtetuese, që mazhoranca kërkon të miratojë më 30 korrik, Instituti i Studimeve Politike vë në pikëpyetje seriozitetin e gjithë nismës.

ISP ndalet tek një gafë që lexohet mes rreshtave në relacionin shoqërues të nismës për të ndryshuar Kushtetutën me qëllim hapjen e listave.

“Në relacion model referues merret p.sh, Parlamenti i Monakos, një referim që me siguri edhe qytetarët e Principatës së Monakos do t’i bënte të qeshnin me lot. Monako nuk ka Parlament dhe as parti politike, por një Këshill me 24 anëtarë të zgjedhur nominalisht dhe që mblidhen dy herë në vit, për buxhetin dhe nismat ligjore që vijnë nga kabineti i Princit”, vëren ISP.

ISP vëren gjithashtu edhe gabime të shumta drejtshkrimore dhe emërtime në tërësi të pasakta dhe të paplota.

“Pafundësisht gabime në emërtime dhe drejtshkrim. Ja për shembull: përdoret emërtimi “Fakulteti i Drejtësisë Tiranë” duke dashur ndofta të nënkuptojnë Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Në mënyrën sesi është shkruar “Tiranë” del e paqartë, pasi në Tiranë ka së paku 7 fakultete të drejtësisë në universitete publike dhe jopublike! Për disa institucione përdoren (“), për disa nuk përdoren, për disa përdoren në vendin e gabuar; emërtimet në tërësi janë të pasakta/pa plota, etj”, thotë ISP.

Instituti thotë gjithashtu se në njoftimin zyrtar të Kuvendit të krijohet përshtypja për një proces të suksesshëm këshillimor me ekspertët, kur në të vërtetë në ato diskutime, të pasqyruara edhe mediatikisht ka marrë pjesë vetëm një pedagoge e Universitetit Mesdhetar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë