Politike

‘Mos punoni me non grata’. Ambasada e SHBA-së: S’ndryshojmë qëndrim për Berishën. Dakord me BE-në: Zgjidhni Avokatin e Popullit

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka dalë me një deklaratë zyrtare ku njofton se, nuk ka diskutuar me asnjë nga anëtarët e komisioneve lidhur me zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Reagimi vjen një ditë pas deklaratës së Gazment Bardhit se kishte kontakte me Delegacionin e BE në Tiranë për disa çështje, mes tyre dhe Avokatin e Popullit.

“Delegacioni i BE-së beson në rëndësinë vendimtare të opozitës për funksionimin e institucioneve demokratike. Megjithatë, Delegacioni i BE-së nuk komenton dhe nuk ndërhyn në punët e brendshme të partive politike. Në rastin konkret, Delegacioni i BE-së nuk ka diskutuar me anëtarët e opozitës për çështjen e papërfunduar të zgjedhjes së Avokatit të Popullit nga parlamenti.

Delegacioni i BE-së mbështet plotësisht çdo përpjekje të ndërmarrë për finalizimin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, një tjetër hap i rëndësishëm për Shqipërinë në procesin e anëtarësimit në BE”, thuhet në reagimin e BE.

Vakanca për Avokatin e ri të Popullit u shpall fillimisht nga Komisioni për Çështjet Ligjore më 30 mars 2022 pas përfundimit të mandatit të Erinda Ballancës. 

Kreu i këtij institucioni zgjidhet nga tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit për një periudhë 5 vjeçare, me të drejtë rizgjedhjeje.

Foto ilustruese: Ambasada e SHBA ne Tirane

Ndërkohë, të njëjtin qëndrim për Avokatin e Popullit ka mbajtur edhe Ambasada e SHBA në Tiranë ku ndër të tjera thekson se qëndrimi i saj ndaj figurave non grata nuk ka ndryshuar. Qëndrimi i fundit i SHBA-së vjen edhe pas lëvizjeve të fundit në Kuvend ku pjesa më e madhe grupit parlamentar të PD-së ka kaluar në kahun e Berishës me Gazment Bardhin kryetar.  

“Shtetet e Bashkuara besojnë se institucionet demokratike funksionale, përfshi një opozitë, janë jetike për çdo demokraci të shëndetshme.

Shtetet e Bashkuara takohen rregullisht me komisionet parlamentare në lidhje me legjislacion kyç, të tillë si ai për Avokatin e Popullit, i cili luan një rol të rëndësishëm në reformën në drejtësi.

Nuk është roli i ambasadës që të zgjedhë se kush udhëheq partitë politike në Shqipëri. Gjithashtu, nuk e kemi ndryshuar pozicionin tonë në lidhje me individë të shpallur (non-grata) në Shqipëri dhe nxisim të gjithë aktorët që të shqyrtojnë me kujdes angazhimet e tyre me figura të tilla”, thuhet në reagimin e ambasadës për “Report Tv”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë