Politike

“Mos rri mënjanë”, Hajdari shpall partinë e re “Nisma”

Rudina Hajdari tha të enjten në mbrëmje se ajo bashkë me disa aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile (kryesisht të rinj) po angazhohen përmes takimesh në bazë për të garuar zgjedhjet e ardhshme parlamentare me një sigël te re partie me emrin “Nisma”.

“Unë e kam kontratën me qytetarët shqiptarë, po i them qytetarëve hajde bëjmë koalicion bashkë. Nuk është fushatë, e bëj me ndershmëri se besoj se ky vend meriton më shumë…Dua të bëj një grup që ja vlen dhe që mund ta bëjë Shqipërinë”, tha Hajdari në studion e “Opinion” e ftuar në fakt për debatin e ditës; listat që ajo këmbëngul të jenë të hapura dhe koalicionet, për të cilat ajo nuk ishte e interesuar as fare. Sipas Hajdarit, oferta politike do të vendosë më tej se kush do të jetë kryetari i partisë dhe se ajo, bashkë me një grup të ngjashmish, do të përfaqësojnë tek zgjedhësit,  ofertën më të mirë të tregut politik 30 vjeçar.

Më herët, Hajdari kishte lajmëruar se po i bashkohej Nismës “Thurje”, një lëvizje që po kthehet në një parti politike me emër konkret. Hajdari i mbetet sloganit se ndryshimi duhet të jetë kryefjala tek njerëzit dhe se ai mund të arrihet vetëm përmes bashkimit

“Përgjatë shtatorit kam takuar mijëra shqiptarë të mrekullueshëm të cilët më kanë mbushur me energji pozitive dhe entuziazëm.

Përtej parlamentit ka një Shqipëri e cila beson te puna, te dinjiteti, te ndershmëria dhe idealizmi. Këtë Shqipëri duhet të sjellim në Parlament. Kjo Shqipëri duhet përfaqësuar. Ndaj eja na jep një dorë, mos rri mënjanë”, komenton Hajdari në faqen e saj Facebook.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë