Përmbytjet e mëdha dhe moti ekstrem i kanë kushtuar Europës rreth gjysmë trilion euro në katër dekadat e fundit, me Gjermaninë, Francën dhe Italinë si vendet më të goditura.
Ndërmjet 90,000 dhe 142,000 vdekjeve iu atribuuan motit dhe ngjarjeve të lidhura me klimën gjatë periudhës 1980-2020, shumica dërrmuese e tyre nga valët e të nxehtit.
Të dhënat, të publikuara nga Agjencia Europiane e Mjedisit (EEA) të enjten, nuk tregojnë një tendencë të qartë të rritjes së humbjeve gjatë dekadave nga ndikimi i krizës klimatike. Kjo për shkak se ndikimet ekonomike priren të përqendrohen në disa ngjarje të mëdha, më shumë se 60% e humbjeve ekonomike erdhën nga vetëm 3% e ngjarjeve të motit gjatë periudhës dhe këto mund të godasin kudo dhe të shkaktojnë rezultate shumë të ndryshme.
Wouter Vanneuville, nga EEA, një nga autorët kryesorë të studimit tha se fakti që humbjet nuk po rriteshin qartë nuk duhet t’i bëjë njerëzit të vetëkënaqur, por nënvizoi rëndësinë e përshtatjes së infrastrukturës dhe përgatitjes për motin ekstrem, i cili ka të ngjarë të bëhet më i shpeshtë dhe më intensiv me avancimin e krizës klimatike dhe rritjen e temperaturave.
“Arsyeja që ne nuk shohim një trend nuk është se ndryshimi i klimës nuk është real, por sepse shumë veprime po zhvillohen kundër ndryshimit të klimës. Gjithnjë e më shumë vende po zbatojnë strategji përshtatjeje”, tha ai.
Vendet duhet të investojnë më tej në përshtatje, tha ai, pasi përparimi në mbrojtjen kundër efekteve të krizës klimatike ndryshonte gjerësisht në të gjithë Europën. “Edhe nëse arrijmë emetimet neto zero para vitit 2050, do të nevojitet ende përshtatje për të mbajtur ndikimet të kufizuara”, tha ai.
Të dhënat e EEA mbulojnë 32 vende, nga të cilat pesë janë vende joanëtare të BE-së.
Dëmet më të rënda ekonomike u shkaktuan nga ngjarjet “hidrologjike”, kryesisht përmbytjet, të cilat përbënin deri në 44% të humbjeve, të ndjekura nga afër nga dëmet nga ngjarjet “meteorologjike”, kryesisht stuhitë të cilat arritën deri në 39%.
Zvicra, Sllovenia dhe Franca kishin humbjet më të larta për frymë gjatë periudhës së studimit dhe humbjet më të larta në raport me sipërfaqen ishin në Zvicër, Gjermani dhe Itali.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje