Futboll

Mourinjo zbarkon në Romë me avion privat, pritje fantastike nga tifozët

Zhoze Mourinjo zbarkon në Romë. Avioni privat me trajnerin portugez në bord, një “Gulfstream G650”, i pilotuar nga presidenti i skuadrës, Friedkin, u ul në aeroportin e Çampinos në orën 14:33. Mourinjo u prit nga disa përfaqësues të klubit, të cilët i dhuruan një shall verdhekuq, që portugezi e vendosi menjëherë në qafë.

Ishin të shumtë tifozët e Romës që e prisnin nën një diell përvëlues. Ata qëndronin aty dhe ishin gati të kapërcenin rrjetat rrethuese të aeroportit për të përshëndetur nga afër “Special One”.Arritën vetëm për një moment dhe Mourinjo uli xhamin e dritares së makinës dhe valviti shallin e Romës.

Tifozët e Romës, duke pritur Mourinjon. Gazeta Si, 2 korrik 2021

Për prezantimin zyrtar duhet pritur pak. Mourinjo udhëtoi nga Lisbona për në Romë, por pak ditë më parë ai ishte në Londër dhe në bazë të rregullave të reja italiane në lidhje me variantin Delta të Covid-19, duhet të izolohet për 5 ditë. Sapo të përfundojë karantinën, portugezi do të dalë në konferencën e parë të shtypit si trajner i Romës.

“Faleminderit shumë, faleminderit nga zemra. Daje Roma”. Ky është mesazhi që Mourinjo ka postuar në rrjetet sociale pas mbërritjes në Romë. Ai postoi edhe një video nga Brenda makinës që e çoi në qendrën sportive të Trigorias, ku u prit me flamuj dhe shaje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë