Sport

Mposhti dy herë Covid-in dhe ftoi medaljen e artë, mrekullia e Tom Dean

Nëse Lojërat Olimpike të Tokios, edhe pse pa publik, janë pika e rinisjes së sportit në nivel global, mes personazheve të kopertinës është pa dyshim Tom Dean. Notarit britanik, për të mbërritur në Olimpiadë, iu desh të mposhtte Covid-19 jo një herë, por dy. Në Tokio ia doli të triumfojë në 200 metra stil i lirë.

“Është arritja më e madhe e jetës, – ka thënë notari pas garës i emocionuar. – Të mbaj këtë medalje në qafë, është një ëndërr e bërë realitet”. Në janar ishte i izoluar në shtëpi dhe për të ishte beteja e dytë me Covid-in brenda katër muajsh. Herën e dytë simptomat ishin më të rënda. Para se të kthehej në pishinë iu deshën 7-8 javë dhe Tokio dukej shumë kilometra larg, por ai ia doli.

Dean, i datëlindjes 2000, nuk ishte në rrezik për jetën asnjëherë, por për sportin që bën ishte shumë e vështirë. “Kur bën një sport që është i vështirë për sistemin kardiovaskular si noti dhe sëmundja të godet mushkëritë, sigurisht që je shumë i shqetësuar për të ardhmen”, – ka treguar britaniku. Shpresat për në Tokio ishin të pakta, por trajneri David McNulty nuk u dorëzua kurrë dhe e motivoi 21-vjeçarin për të mos e humbur besimin.

Fitorja e Dean ishte një surprizë edhe për skuadrën britanike të notit. Ai që kishte më shumë shanse për medalje ishte shoku i skuadrës, Duncan Scott, që fitoi medaljen e argjendtë, me vetëm 4 të qindtat pas Dean. Një dopietë e bukur, që britanikët e prisnin që prej vitit 1908. “Ishte fantastike, me atë që kaloi këtë vit, është vërtet një fitore speciale”, – ka thënë Scott, duke i dhënë merita mikut rival.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë