Një grup grash dhe vajzash protestuan me pankarta në duar ndaj Ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Bernard Borchardt në kohën që ky i fundit mori fjalën në një tryezë për lirinë dhe zhvillimin e medias në Shqipëri.
“Non grata!”, “Borchardt go home and take your middlefinger with you” (Borchardt shko në shtëpi, bashkë me gishtin e mesit), “Mr. Middlefinger dishonours the OSCE” (Zoti Gishti i Mesit çnderon OSBE-në”) dhe “Borchardt në Tiranë, fyerje për Shqipërinë” ishin parrullat e shpalosura simbolikisht nga gratë protestuese.
Reagimi i ambasadorit të OSBE-së ishte shpërfillës. Ai vazhdoi me rendin e ditës në tryezën në fjalë sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Ndërkohë, protestueset u larguan paqësisht pas pak momentesh dhe ndërhyrjesh nga organizatorët.
Protesta ishte reagimi i radhës ndaj Ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, që disa ditë më parë u tregoi gishtin e mesit protestuesve të Unazës së Re para Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Ambasadori e pranoi gjestin dhe kërkoi ndjesë për këtë.
Në lidhje me këtë incident OSBE në vjenë nisi një hetim, në përfundim të të cilit nuk u mor asnjë masë ndëshkimore ndaj diplomatit gjerman në Tiranë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje