Nuk ka përfunduar, përderisa nuk ka përfunduar. Kështu thonë tifozët e Real Madridit, ata më optimistët. Por e vërteta është se PSG po reziston dhe nuk do që ta lërë Kilian Mbapenë të largohet as për 180 milionë euro, edhe pse kontrata e tij skadon në qershor.
Në Spanjë flasin për një tjetër sulm të Realit, me një ofertë 200 milionë euro, ndaj dhe shpresat janë deri në sekondën e fundit të mbylljes së merkatos. “Muri” parisien po qëndron i fortë, ndërsa vetë Mbape, sipas “RMC Sport” e ka fjetur mendjen, i ndërgjegjshëm se ëndrra e tij për fanellën e Realit duhet të presë deri në verën e 2022-shit.
“L’Equipe” citon një burim pranë pronarëve të klubit, që thotë: “Për Katarin nuk ka reklamë më të mirë se të ketë Mesin, Nejmarin dhe Mbapenë në skuadrën e vet vitin para Botërorit. Prej dy vitesh shpenzojnë 500 milionë euro në javë në infrastrukturë, çfarë janë 180 apo 200 milionë? Asgjë”.
Përveç kësaj, 31 milionët që Reali do të paguajë te Renes për Kamavingën i reduktojnë mundësitë e manovrës në nivelin e bilancit. Gjithsesi, madrilenët nuk janë dorëzuar dhe do të tentojnë deri vonë në mbrëmje. Nëse nuk do t’ia dalin, do të provojnë përsëri në janar, kur të gjithë mund të kontaktojnë me Mbape, me perspektivën për ta blerë në qershjor me kosto zero.
Kjo do të ndodhë, nëse PSG-ja nuk do të arrijë të bëjë goditjen e dyfishtë: jo vetëm ta mbajë në skuadër, por edhe të zgjatë kontratën. Khalifah Bin Hamad Al Thani, një pjesëtar i familjes Al Thani, në Tuiter ka siguruar se në tetor do të nisin bisedimet për rinovimin e kontratës së Mbape deri në 2025-ën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje