Politike

Mustafa i ofron Kurtit një rrugëdalje: Hiq taksën dhe rikthe Veliun në qeveri


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa duket se i ka ofruar sot një rrugëdalje kryeministrit Albin Kurti për mos rrëzimin e qeverisë, në një kohë kur Kosova përballet me një krizë të jashtëzakonshme për shkak të koronavirusit.

Duke sjellë në vëmendje një takim të mbajtur para katër ditësh me Albin Kurti në praninë e Vjosa Osmanit dhe Avdullah Hotit, Mustafa i rëndit kryeministrit kushtet e tij për të qëndruar në qeveri.

Në një postim në rrjetin Facebook, kreu i LDK-së kërkon heqjen e taksës ndaj importeve serbe në mënyrë që të mos rrezikhet partneritetin me SHBA-në.

“Në të kundërtën do të dalin nga koalicioni”, paralajmëron Mustafa. “Prandaj të lutem për mirëkuptim që tarifa të hiqet gjatë kësaj jave. Mos e kupto këtë si kërkesë të njëanshme por si interes të përbashkët”.

Kryetari i Lidhjes Demokratike duket se ofron heqjen e taksës si zgjidhje të përkohëshme, duke shkruar se mund të dalë nga koalicioni qeveritar sapo të kalojë kriza që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit.

“Nëse vazhdohet kështu, sapo të kapërcejmë këtë situatë emergjente për shkak të koronavirusit, si LDK do të detyrohemi të dalim nga koalicioni, sepse nuk duam të jemi bashkë-përgjegjës të prishjes së marrëdhënieve me aleatin tonë kryesor. Për këtë do të njoftoj edhe Ambasadorin Grenell.” ka shkruar Mustafa.

Mustafa ka deklaruar se pret që Kurti të kthejë zyrtarin e lartë të LDK-së Agim Veliun në postin e ministrit të Brendshëm, duke i zgjatur kështu jetën koalicionit qeverisës edhe me “disa muaj të tjerë”.

“Pres edhe sot që zoti Kurti ta heq tarifë, ta anulojë vendimin për shkarkimin e z. Veliu. Që atij dhe LDK-së të kërkoj falje për veprimet e tij. Të na japë mundësinë të jemi bashkë në këtë betejë”, ka shkruar Mustafa.

Kriza politike në Kosovë vjen pasi Kurti shkarkoi zotin Veliu pasi ky i fundit kërkoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, duke ia bërë “fakt të kryer” zotit Mustafa, e cili ka ngritur tanimë një mocion për rrëzimin e qeverisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë