Rend dhe Ligj

Muzikë live, 1 milion lekë gjobë lokalit në Durrës

Policia e Durrësit ka ndëshkuar me masë administrative 1 milion lekë administratorin e një lokali, pasi u konstatua se ushtronte aktivitet me muzikë live në kundërshtim me Aktin Normativ.

“Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë evidentuar në Njësinë Administrative Ishëm, një lokal që ushtronte aktivitet me muzikë live, në kundërshtim me Aktin Normativ.

Për këtë subjekt me pronar shtetasin A.E, shërbimet e Policisë kanë vendosur masë administrative 1.000.000 lekë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjithashtu ka proceduar penalisht edhe dy shtetas për veprën penale “Pushtimi i tokës”, të cilët janë evidentuar gjatë kontrolleve në plazhe, duke vendosur shezlonge në mënyrë të paligjshme.

Bëhet fjalë për shtetasit B. T., 49 vjeç, banues në fshatin Shetaj, Njësia Administrative Ishëm dhe E.Sh., 27 vjeç, banues në fshatin Shetaj, Njësia Administrative Ishëm.

Gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Shetaj, u konstatua se shtetasit e mësipërm kishin zënë me shezlongë, një sipërfaqe të plazhit publik, pa lejen e organeve përkatëse.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Durrës, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë