Politike

Rama zbulon pse nuk bisedon me naftëtarët e Ballshit

Kryeministri Edi Rama zbuloi se përse refuzon që të ulet në bisedime me naftëtarët e Rafinerisë së Ballshit pa e lënë këta të fundit grevën e urisë.

“Sepse krijohet precedenti se je i pakënaqur me sipërmarrësin dhe kompaninë ku punon dhe ti futesh në grevë dhe merr atë që të takon dhe për më tepër pa pranuar argumentet e atij tjetrit, që në këtë rast nuk është i huaj, por është Qeveria”, tha Rama gjatë fjalës së mbajtur këtë të enjte në Parlament.

“Përsa kohë do të rrijnë aty nuk ka bashkëbisedim, nuk ekziston. kanë provuar edhe të tjerë më parë që këtë qeveria ta testojnë me presion, nuk funksionon. ilir meta mendon që kjo funksionon e ka gabim dhe nuk ka për të funksionuar deri kur unë të jem në këtë detyrë”, vijoi ai.

Kryeministri Edi Rama u përsëriti naftëtarëve se problemi i tyre me mosmarrjen e pagave është një problem i lindur nga marrëdhënia mes kompanive private dhe se Qeveria i ka të lidhura duart për ta zgjidhur.

Ai përjashton bisedimet me ta për këtë çështje, por i fton që pasi të lënë grevën të ulen e të gjejnë një zgjidhje përtej ndihmës sociale të ofruar tashmë për këta punonjës.

“Nuk ju kam ftuar në asnjë negociatë, sepse nuk kemi asgjë për të negociuar pasi Qeveria as nuk e ka shkaktuar hallin tuaj, as nuk trashëgon mbi vete problemin e krijuar nga kompania private! Rafineria nuk është e shtetit. Ju lutem na jepni mundësinë t’ju ndihmojmë! Ideja se punonjësit e një kompanie private mund të bëjnë grevë kundër qeverisë për detyrimet e sipërmarrësit privat është e gabuar. Ju nuk e doni daljen në asistencë dhe e mirëkuptojmë, por jua përsëris, pa mbyllur grevën nuk jua qajmë dot hallin konkretisht përtej asistencës!”, shkroi Rama në Tëitter.

Më herët, Rama tha se nuk po u ofron lëmoshë naftëtarëve.

“Të dashura motra greviste të Ballshit!Askush nuk ju kërkon të dorëzoheni, qeveria nuk është armiku po aleati juaj dhe askush nuk ju ofron lëmoshë, ne jemi gati të qajmë hallin tuaj së bashku! E vetmja pengesë mes nesh është greva juaj. Mbyllni grevën dhe unë do jem aty menjëherë!”, u shpreh ai.

Kryeministri tha gjithashtu se ka përpjekje për ta përdorur grevën e naftëtarëve kundër Qeverisë.

“Mos u gënjeni nga krokodilët që lotojnë për ju e duan t’ju përdorin kundër qeverisë! Qeveria është e juaja,por nuk mund të bisedojë me ju nën presion e me ultimatume! Grevat bëhen për t’u dëgjuar, jo për të marrë me zor atë që ke në mendje. Ne ju kemi dëgjuar e po ju presim juve!”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë