Janë disa stola skuadrash që për histori dhe traditë, janë pak më të rëndë se të tjerët dhe nuk është e lehtë t’i mbash. Ai i Bajernit të Mynihut po “zjen” që tani, sepse skuadra po fut ujë. Bajerni, edhe pse janë vetëm miqësore, vazhdon të humbasë dhe tifozët kanë filluar ta humbin durimin.
Julian Nagelsman nuk është një personazh simpatik për tifozët bavarezë. Ai ka dy disavantazhe të mëdha: ka luajtur me Mynih 1860 dhe nuk ka fituar asgjë, pasi humbi edhe mundësinë e fundit të fitonte në krye të Lajpcigut në finalen e Kupës së Gjermanisë ndaj Borusia Dortmund.

Për të mbyllur qarkun, ndeshjet para nisjes së kampionatit kanë qenë një makth, pa fitore dhe me humbjen 0-3 ndaj Napolit rruga është përshpejtuar. Shkalla e vlerësimit, asnjëherë e lartë për të, është në pikiatë. Rrjetet sociale kanë nisur fushatën kundër trajnerit.
Po flasim vetëm për miqësore, por tifozët e Bajernit nuk janë mësuar të humbin. Dhe #naglesmannout është bërë menjëherë trend. Mes të tjerash edhe për të kaluarën si lojtar të trajnerit. Nagelsman ka një të shkuar të rëndësishme te Mynih 1860, ku fillimisht ka luajtur me të rinjtë dhe pastaj ka qenë trajner deri në 2010-ën, kur dëmtimet e detyruan të tërhiqej. Kjo mjafton për ta bërë antipatik për tifozët, të cilët në miqësoren ndaj Ajaksit shfaqën një parullë, ku trajneri etiketohej si derr.
Sep Maier pak javë më parë bëri edhe paralajmërimin klasik. “Nuk e di, nëse te Bajerni do të jenë të lumtur me Julian Nagelsman. Jam skeptik”, – tha ai. Fjalë që kanë pasur ndikim edhe te tifozët dhe përtej çdo alibie, fakt është se Bajerni deri tani nuk ka fituar asnjë ndeshje. Humbje 3-2 në debutim me Këlnin, barazimi 2-2 me Ajaksin dhe tani humbja 0-3 me Napolin, që ka sjellë një tronditje të fortë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje