Bota

NATO: Ditët e ardhshme ndoshta më të këqija. Putin Sanksionet përkeqësojnë situatën

Gazeta Si – Ministrat e Jashtëm të NATO-s diskutuan një “zonë të ndaluar fluturimi” mbi Ukrainë, por ranë dakord që avionët e NATO-s nuk duhet të operojnë mbi hapësirën ajrore të Ukrainës, tha Stoltenberg në konferencë për mediat në Bruksel.

Stoltenberg thotë se ajo që po ndodh tani në Ukrainë është “e tmerrshme“; por thotë se NATO nuk do të zbatojë zonën e ndalim-fluturimit mbi Ukrainë, sepse kjo mund të çojë në një “luftë të plotë në Evropë”.

“Ditët që do të vijnë ka të ngjarë të jenë më të këqija, me më shumë vdekje, më shumë vuajtje dhe më shumë shkatërrime”, – u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në fund të Këshillit të NATO-s për luftën në Ukrainë.

Duke folur për hipotezën e zonës së ndalimit të fluturimeve mbi Ukrainë, ai shtoi gjithashtu se NATO nuk duhet të operojë në qiejt e Ukrainës.

Duke folur për sulmin në termocentralin bërthamor, ai tha se “ishte një veprim i pamatur që nxjerr në pah rreziqet e kësaj lufte. Konflikti është i rrezikshëm dhe lufta pranë një centrali bërthamor vetëm sa shton rrezikun”.

Megjithatë, Stoltenberg theksoi se ka ende shanse që ky konflikt të zgjidhet përmes diplomacisë.
“I bëjmë thirrje Presidentit Putin që të ndalojë menjëherë këtë luftë, të tërheqë pa kushte të gjitha forcat e tij nga Ukraina dhe të angazhohet në diplomaci të vërtetë”.

Sa i përket mbylljes së hapësirës ajrore të Ukrainës, Sekretari i NATO-s tha se vendet e aleancës ranë dakord që nuk do të ketë prezencë të trupave ushtarake të NATO në Ukrainë.

Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin, në një bisedë me presidentin e Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, theksoi se “objektivat” e operacionit rus (emri me të cilin Kremlini përcakton luftën e nisur kundër Ukrainës, e cila ka arritur në ditën e nëntë) “do të arrihet plotësisht”.

Putin siguroi gjithashtu se ai “nuk kishte asnjë qëllim të keq ndaj vendeve fqinje” dhe kërcënoi Perëndimin: “Unë do të këshilloja të mos përkeqësohej situata, të mos vendosim asnjë kufizim: ne do të vazhdojmë të respektojmë detyrimet tona”.

“Unë besoj, – shtoi Putin, – se të gjithë duhet të mendojnë se si ta normalizojnë situatën dhe të bashkëpunojnë normalisht”.

Putin i kishte konfirmuar gjithashtu presidentit francez Emmanuel Macron – në një telefonatë 90-minutëshe të premten më 3 mars – për qëllimin e tij për të arritur qëllimet që i kishte vendosur vetes dhe të cilat ai vazhdon t’i përcaktojë me “denazifikimin, çmilitarizimin dhe neutralizimin e Ukrainës”.

Macron, – sipas raporteve të bashkëpunëtorëve të tij – kishte nxjerrë nga këto fjalë se “më e keqja” në Ukrainë “nuk ka ardhur ende”.

Fjalët e presidentit u ndoqën nga ato të zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, i cili u bëri thirrje qytetarëve rusë të “mblidhen rreth presidentit”.

“Ka nga ata që mbështesin veprimin e Federatës Ruse në Ukrainë, ka nga ata që nuk i kuptojnë, por tani duhet të qëndrojmë së bashku, të bashkohemi rreth presidentit”, tha ai, sipas asaj që raportoi agjencia e lajmeve “Ria Novosti”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë