Gazeta Si – Vladimir Putin nuk rrezikon një grusht shteti, sepse “ai ka kontroll të plotë të shërbimeve të sigurisë”.
Kështu pretendon një burim i lartë diplomatik i NATO-s, duke nënvizuar se “nuk ka asnjë kërcënim serioz për pushtetin” e presidentit rus.
“Ka kritika nga anë të ndryshme, si nga ata që e konsiderojnë luftën gabim, ashtu edhe nga ata që duan të ndërhyjnë më mirë. Por asgjë më shumë”, shton burimi aleat.
Ndërkohë, ushtarët e Forcave Ajrore të Ukrainës, rrëzuan katër helikopterë sulmues rusë, ndoshta famëkeqin “Alligator Ka-52”, në vetëm 18 minuta në jug të vendit, njoftoi Komanda e Forcave të Armatosura të Kievit në Facebook.
“Nga ora 8.40 deri në 8.58 të ditës së sotme, njësitë raketore anti-ajrore të Forcave Ajrore, shkatërruan të paktën katër helikopterë sulmues të armikut (ndoshta Ka-52), të cilët po ofronin mbështetje zjarri për forcat e pushtimit tokësor në aksin jugor, në jug të Ukrainës“, thuhet në raport.
Një helikopter u rrëzua mbi territorin e çliruar, ndërsa tre të tjerët ranë pas vijës së frontit.
Forcat Ajrore shtuan se forcat ukrainase kanë hapur zjarr ndaj dy helikopterëve të tjerë, kështu që numri i helikopterëve të konfirmuar të rrëzuar ka shumë të ngjarë të rritet.
Kostoja e helikopterit rus Ka-52 arrin në 16 milionë dollarë (rreth 590 milion hryvnia).
Ai përdoret për zbulimin e terrenit, shënjestrimin dhe koordinimin e veprimeve të një grupi helikopterësh luftarakë.
“Aligator” është i aftë të godasë automjete të blinduara dhe objektiva ajrore në fushën e betejës.
Më herët, ushtria ruse goditi tregun qendror në qytetin Avdiivka në rajonin e Donjeckut mëngjesin e sotëm, duke vrarë shtatë civilë dhe duke plagosur tetë të tjerë, njoftoi guvernatori Pavlo Kyrylenko, siç raportohet nga agjencia “Kyiv Independent”.
“Nuk ka asnjë logjikë ushtarake në këtë sulm, vetëm një dëshirë e shfrenuar për të vrarë sa më shumë njerëz dhe për të trembur të tjerët”, tha Kyrylenko.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje