Lajme

Naureda Llagami zgjidhet kryetare e Këshillit të Lartë Gjyqësor

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka zhvilluar këtë të enjte mbledhjen e parë. Në Këshillin e Lartë Gjyqësor është votuar për kryetarin dhe zëvendëskryetarin. Në krye të këtij organi të ri të drejtësisë u zgjodh Naureda Llagami, me 10 vota pro, dhe si zëvendëskryetar, Maksim Coku.
Alban Toro, Fatmira Luli dhe Naureda Llagami ishin në garë për kryetar të KLGJ-së, ndërsa në fund Llagmani mori frenat e këtij institucioni të ri të drejtësisë.
Të pranishëm në konstituimin e KLGJ-së kanë qenë kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori dhe Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca.
Gjatë ditës së djeshme u zgjodhën edhe drejtuesit e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Themelimi i dy institucioneve do t’i hap rrugë krijimit të SPAK, i cili ka për synim hetimet në nivele të larta të korrupsionit.

Ndërkohë, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë dhe Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë kanë përshëndetur konstituimin e KLGJ-së si dhe zgjedhjen e drejtuesve të këtij organi të drejtësisë. Në deklaratë thuhet se ky institucion ka ndjekur me vëmendje të gjithë procesin e konstituimit të organeve të reja të drejtësisë dhe për këtë shpreh mbështetjen për garantimin e zbatimit të ligjit dhe ruajtjes së të drejtave të njeriut. UGJSH dhe SHKGJSH u urojnë suksese anëtarëve të përzgjedhur për mbarëvajtjen e sistemit gjyqësor dhe kanë riktheksuar se mirëpresin dhe inkurajojnë çdo reformë në sistemin e drejtësisë.
“Që nga dita e themelimit të tyre UGJSH dhe SHKGJSH nuk kanë reshtur se theksuari se mirëpresin dhe inkurajojnë çdo reformë në sistemin e drejtësisë, e cila bazohet në respektimin dhe mbrojtjen e parimeve dhe të drejtave themelore të njeriut dhe ka për qëllim forcimin e besimit të publikut tek sistemi gjyqësor, rritjen e cilësisë e pavarësisë së vendim-marrjes në gjykime dhe forcimin e parimeve themelore të funksionimit të shtetit ligjor dhe demokracisë ne vend”, shkruhet ndër të tjera në deklaratën e tyre për mediat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë