Bota

Navalni ka humbur 8 kg në burg, por nuk vizitohet nga mjekët

Opozitari rus, Aleksei Navalni, ka humbur tetë kilogramë nga pesha e tij që kur ka mbërritur në burg, aty ku ndodhet prej më shumë se një muaji.

Në një postim në kanalin Telegram, aleatët e tij, thanë se Navalni ka peshuar 93 kg kur ka arritur në burg, muajin e kaluar dhe se tani është 85 kg.

Ekipi i tij, tha se 45-vjeçari, privohet nga gjumi dhe se rojet e zgjojnë tetë herë gjatë natës.

Navalni ka hyrë në grevë urie më 31 mars, duke thënë se zyrtarët e burgut nuk i ofrojnë kujdes mjekësor dhe nuk e lënë të flejë.

Ai është ankuar për dhimbje akute në shpinë dhe mpirje në këmbë.

Aktualisht ndodhet në Koloninë Penale Nr. 2 në Pokrov, që njihet si një prej burgjeve më të ashpra në Rusi.

Kritiku i Putinit, është arrestuar në një aeroport të Moskës në muajin janar, menjëherë pasi është kthyer nga Berlini, ku është shëruar nga helmimi me agjent nervor.

Disidenti pretendon se është helmuar në muajin gusht, në një fluturim drejt Siberisë, ndërsa laboratorët perëndimorë kanë treguar se agjenti i përdorur në sulm ka qenë Noviçok.

Ai ka thënë se atentati kundër tij është urdhëruar nga presidenti rus, Vladimir Putin, por këto pretendime janë hedhur poshtë nga Kremlini.

Një gjykatë në Rusi e ka dënuar atë me dy vjet e gjysmë burg.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë