Sport

Ndaleni këtë luftë! Kampioni i peshave të rënda kthehet në Ukrainë të mbrojë vendin

Gazeta Si – Për të katërtën ditë radhazi qielli mbi Kiev është ndriçuar nga flaka e shpërthimeve, ndërsa në gjithë Ukrainën vazhdojnë luftimet. Gjithmonë e më të shumta janë reagimet që dënojnë pushtimin rus dhe i drejtohen Putinit për të ndalur sulmin.

Apeli i fundit vjen nga boksieri ukrainas Olexander Usyk, fitues i medaljes së artë në Olimpiadën e Londrës 2012, ndërsa vjeshtën që shkoi fitoi ndaj Joshua titullin e peshave të rënda WBO. “Doja të flisja me popullin rus. Nëse na konsideroni vëllezër, mos i lini bijtë tuaj të luftojnë në Ukrainë”, – shkruan Usyk në një postim në Instagram, të shoqëruar me një video.

Boksieri i drejtohet më pas direkt Putinit: “Mund të ndalësh këtë luftë. Të lutem, ulu dhe negocio me ne. Fëmijët tanë, gratë dhe gjyshërit tanë janë fshehur, kurse ne qëndrojmë në vendin tonë dhe nuk kemi çfarë të bëjmë tjetër, veçse të mbrohemi”.

Olexander Usyk ndodhej në Angli, kur nisi konflikti. Kampioni i peshave të rënda, i pari në histori që ka unifikuar titujt WBO, WBC, WBA dhe IBF, po përgatitet për sfidën e dytë me Anthony Joshua, që mund të zhvillohet në pranverë ose verë. Pas kthimit në Ukrainë, ai postoi një videomesazh në rrjetet sociale, duke hedhur poshtë zërat për arratisje:

“E dashur Ukrainë, të dashur qytetarë ukrainas. Disa media kanë shkruar se ia kam mbathur, por nuk është kështu. Isha në punë dhe tani jam kthyer, jam në shtëpi. Miq, duhet të bashkohemi, sepse është një moment shumë i vështirë. Jam i tronditur për vendin tim dhe njerëzit tanë. Duhet ta ndalim këtë luftë, të gjithë bashkë”.

Usyk u bashkohet kështu deklaratave të vëllezërve Vladimir dhe Vitali Kliçko.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë