Gazeta Si – Ministrat e Jashtëm të BE- së nuk ka gjasa të bien dakord në këshillin e kësaj jave për të vendosur një ndalim të plotë të dhënies të vizave për të gjithë qytetarët e Rusisë pa përjashtim.
Sipas Përfaqësuesit të Lartë të BE, Josep Borrell, do të ishte një vendim që do të kërkonte unanimitet të plotë.
“Unë nuk mendoj se ndërprerja e marrëdhënieve me popullsinë civile ruse do të ndihmojë dhe nuk mendoj se kjo ide do të marrë unanimitetin e nevojshëm,” tha në një deklaratë Borrell.
Borell shtoi se ,“duhet të rishikojmë mënyrën se si u jepen vizat disa rusëve, sigurisht jo oligarkëve”.
Prestigjiozja “Financial Times” raportoi se ministrat e Jashtëm të BE-së do të takohen nesër në Pragë për të diskutuar një pezullim të mundshëm të marrëveshjes së saj të vizave me Rusinë që nga viti 2007.
Shtetet lindore të bllokut kanë kërcënuar se në mënyrë të njëanshme do të mbyllin kufijtë për turistët rusë, teksa pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës po vazhdon.
Pjesë të marrëveshjes për lehtësimin e vizave të vitit 2007 me Moskën që lidhen me lëvizjen e lirë të zyrtarëve qeveritarë dhe biznesmenëve, janë pezulluar pak kohë pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
“Financial Times” raportoi se një pezullim më i gjerë i marrëveshjes do të hiqte trajtimin preferencial për rusët që aplikojnë për të gjitha vizat e vendeve të BE-së. Rusët më pas do të duhej të ofronin dokumente shtesë, duke i bërë vizat më të kushtueshme dhe duke e rritur edhe periudhën e pritjes për marrjen e vizës.
Disa shtete anëtare kanë kërkuar veprime që do t’iu pamundësonin rusëve të zakonshëm që të udhëtonin në BE me viza turistike. Këto masa janë kërkuar me qëllim të ndëshkimit të Moskës.
Republika Çeke dhe Polonia ndaluan lëshimin e vizave për turistët rusë pak kohë pas nisjes së pushtimit të Ukrainës.
Polonia dhe shtetet e Baltikut që kufizohen me Rusinë kanë sugjeruar se janë të gatshme që të ndalojnë rusët e pajisur me viza turistike që të hyjnë në territoret e tyre, duke u thirrur në përjashtimet e sigurisë kombëtare që përmban marrëveshja e Shengenit.
Finlanda – që ndan një kufi prej 1.335 kilometrash me Rusinë – gjatë këtij muaji tha se nga 1 shtatori do të reduktojë për 90 për qind vizat që do të lëshojë për turistët rusë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje