Politike

Ndërhyrja në Shqipëri, ambasadori Karpushin: Përralla me rusë!

Ambasada Ruse në Tiranë mohon kategorikisht se mbështet dhe qëndron pas protestave të opozitës, apo Presidentit Ilir Meta në përplasjen e këtij të fundit me shumicën socialiste. Ambasadori i Federatës Ruse në Tiranë, Aleksandër Karpushin i vlerësoi si trillime të gjitha këto, shprehu keqardhjen që bashkëpunimi mes dy vendeve është praktikisht zero dhe foli për një dorë të tretë që kushtëzon politikën e jashtme të Shqipërisë.

“Pala ruse nuk ka asnjë lidhje me protestat dhe aq më tepër me veprime të dhunshme gjatë këtyre protestave. Për fat të keq, akuza të tilla shfaqen herë pas here në mediat shqiptare, ose në fjalimet e funksionarëve partiakë. E përsëris edhe një herë: këto janë probleme që duhet t’i zgjidhni vetëm ju. Kjo vlen edhe për zgjedhjet lokale që u zhvilluan së fundmi. Të gjitha vendimet për caktimin e datës së zgjedhjeve, apo për ndryshimin e afatit të tyre duhet të bazohen dhe të merren në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit. Zgjidhja e këtyre çështjeve të diskutueshme është gjithashtu privilegj i vetë shqiptarëve”, deklaroi ai në një intervistë dhënë për Report TV.

Karpushin thotë se Rusia kërkon bashkëpunim tregtar dhe ekonomik, duke shtuar se mungesa e këtij bashkëpunimi dëmton më së shumti qytetarët dhe biznesin shqiptar. Justifikimi i përdorur nga Shqipëria për ndërprerjen e marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike nuk e bind kryediplomatin rus në Tiranë, që sjell si shembull vende të tjera aleate në NATO që ruajnë këtë bashkëpunim me Moskën.

“Bashkëpunimi në fushën tregtare dhe ekonomike midis vendeve tona është praktikisht në nivelin zero dhe nga kjo pësojnë humbje, në radhë të parë, qytetarët dhe rrethet e biznesit të vendit tuaj. Krijohet një përshtypje se politika e jashtme e shtetit tuaj ndodhet nën një ndikim të lartë nga forca të treta. Përveç kësaj, Shqipëria, për të justifikuar qëndrimin e saj, i referohet solidaritetit famëkeq euro-atlantik, por po ai anëtarësim në NATO dhe BE nuk e pengon Italinë, Slloveninë, Greqinë apo shumicën dërrmuese të vendeve evropiane për të bashkëpunuar dhe zgjeruar në mënyrë aktive bashkëpunimin me Rusinë. Pse Shqipëria nuk mund të bashkëpunojë? Por kjo është një pyetje që ju duhet t’ua drejtoni vetë drejtuesve tuaj”, thotë ai.

Karpushin thotë se akuzat e ngritura në media dhe nga disa zyrtarë të lartë partiakë dhe në Parlament e zënë në befasi.

“Të gjitha forcat politike në vend i përdorin këto përralla, duke sakrifikuar në këtë mënyrë mundësinë e zhvillimit të bashkëpunimit tonë për luftën ndërpartiake. Shumica dërrmuese e shqiptarëve, me të cilët kontaktoj për shkak të detyrës, janë të vetëdijshëm për ndikimin e vërtetë që ushtrohet ndaj qeverisë tuaj edhe nga ana e ambasadave të aleatëve tuaj”, vijon ambasadori rus në Tiranë.

Kryediplomati rus rrëzoi edhe akuzat se Rusia qëndron pas financimit të lobimit të PD-së në SHBA. Ai thotë se PD nuk është më proruse se PS.

“Pse duhet t’i japim para Partisë Demokratike për lobim në SHBA? A është ajo më pro-ruse se Partia Socialiste? Aspak! Më shumë gjasa, agjentët partiakë PR, duke kopjuar amerikanët në çdo gjë dhe të frymëzuar nga hetimi amerikan ndaj Prokurorit të Posaçëm Muller, shpikën këtë histori. Atëherë të gjithë flisnin për këtë, ndaj edhe këtu vendosën të fitonin disa pikë. Vetëm se në SHBA kjo çështje tashmë është mbyllur, komisioni i posaçëm nuk ka gjetur ndonjë provë komploti të ekipit të D. Trump me Rusinë. Ndërsa këtu akuzohen për financim rus kompanitë offshore të huaja të menaxhuara nga qytetarë të vendeve të treta. Është plotësisht e pakuptueshme se çfarë lidhje kanë ato me Rusinë”, shton ambasadori rus në Tiranë.

Karpushin thotë se edhe në Shqipëri, Rusia do të vazhdojë t’u qëndrojë parimeve të saj të diplomacisë për të mos ndërhyrë në çështjen e brendshme të vendeve të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë