“Liria e shtypit në Shqipëri po përkeqësohet, ndërkohë që sulmet e politikanëve ndaj gazetarëve janë rritur dita-ditës”. Ky është alarmi i ngritur sot nga një një delegacion i përbërë nga shtatë organizata globale për lirinë e medias.
Ata kanë mbërritur në Tiranë në të njëjtin ditë që kryeministri Edi Rama vendosi të hidhte në gjyq gazetarin e tabloidit gjerman “Bild” Peter Tiede dhe janë takuar me gazetarë; kryeredaktorë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe ambasadave të huaja në Tiranë.
Delegaconi përbëhet nga Qendra Europiane për Liri të Shtypit dhe të Medias (ECPMF), Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), Federata Europiane e Gazetarëve (EFJ), Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), Reporterët Pa Kufij (RSF) dhe Organizata e Medias së Europës Juglindore (SEEMO).
Në pëfundimet e tyre pas qëndrimit në kryeqytetin shqiptar, delegacioni për lirinë e medias ngrenë alarmin se mediat dhe gazetarët përballen me presione, sulme dhe pengesa nga qeveria, për të cilën thotë se denigron gazetarët duke i quajtur vazhdimisht “kazan”.
“Sulmet fizike të kohëve të fundit kundër gazetarëve kanë mbetur të pazgjidhura. Zyrtarët më të lartë publikë përdorin gjuhë që ul vlerat dhe sulmojnë gazetarët kritikë. Administrata publike, përfshirë zyrën e kryeministrit dhe kryetarit të bashkisë Tiranë, nuk janë transparencë në ndërveprimin e tyre me median dhe kufizojnë aksesin e gazetarëve kritikë”, shkruan delegacioni në një njoftim zyrtar.
Ai u informua gjatë intervistave me gazetarët se sulmet fizike dhe kërcënimet serioze kundër gazetarëve në lidhje mbeten të pazgjidhura nga autoritetet. Misioni ndërkombëtar ngre shqetësimin se gazetarët investigativë pushohen nga puna me ndërhyrjen e politikanëve dhe se kanë frikë të ngrënë denoncime për shkak të hakmarrjes.
“Së fundmi, disa gazetarë u plagosën gjatë protestave anti-qeveritare. Gazetarët
investigativë janë sulmuar apo pushuar nga puna për shkak të raportimeve të tyre, në disa raste pas ndërhyrjeve të dyshuara nga politikanë të partisë në pushtet. Në disa raste, gazetarët vendosin të mos raportojnë kërcënimet dhe sulmet te autoritetet përkatëse dhe të mos informojnë publikun. Përveç kësaj, ka raste në të cilat gazetarët tërheqin kallëzimet për shkak të frikës për hakmarrje të mëtejshme. Delegacioni u informua se autoritetet nuk ndjekin siç duhet çështjet, dhe nuk investigojnë arsyet pas kërcënimeve dhe sulmeve”, paralajmërojnë ekspertët.
Gjatë takimeve me gazetarët, delegacioni u informua se Kryeministri Edi Rama në mënyrë
konstante i quan mediat “kazan”, ndërkohë që udhëheqësi i opozitës Lulzim
Basha i referohet gazetarëve si “të kapur dhe të blerë”.
Ekspertët ngrenë alarmin se një gjuhë e tillë denigron gazetarët, duke rritur rrezikun e
kërcënimeve apo dhunës kundër tyre.

“Gazetarët që ne takuam deklaruan se kur Kryeministri Rama i quan kazan, nisin edhe ngacmime të menjëhershme online kundër gazetarëve nga anëtarë të publikut që përdorin të njëjtat fjalë si kryeministri dhe në disa raste gjuhë edhe më të egër. Ne jemi të alarmuar nga një gjuhë e tillë propaganduese e përdorur nga liderët politikë dhe politikanët e tjerë kundër gazetarëve. Delegacioni e ngriti këtë shqetësim me Kryeministrin Rama, i cili mbrojti përdorimin e kësaj gjuhe, por u angazhua të mos i quajë më gazetarët kazanë në të ardhmen”, thotë misioni ndërkombëtar për lirinë e medias.
Në anën tjetër, delegacioni ka arritur në përfundimin se qeveria po kufizon aksesin e gazetarëve të pavarur, duke përdorur ERTV-në si kanalin e saj të komunikimit dhe duke anashkaluar mediat.
“Sipas intervistave me shumë aktorë, arritën në përfundimin se kryeministri nuk mban konferenca të rregullta për shtyp, por se edhe kur mban, vetëm gazetarët që punojnë për median pranë qeverisë lejohen të bëjnë pyetje. Kamerat nga mediat e ndryshme nuk janë të lejuara. Kryeministri po përdor ERTV-në si portalin e tij personal të komunikimit me publikun. Gjatë fushatave elektorale, gazetarët ndalohen të mbulojnë mitingjet e fushatës dhe në vend të kësaj u dërgohen materiale të parapërgatitura nga qeveria”, thonë ekspertët.
Në një takim me delegacionin, Kryeministri Rama ka deklaruar se është i hapur për pyetje nga të gjithë gazetarët dhe se ai kurrë nuk i ka mohuar dikujt mundësinë për të mbuluar fushatat e tij elektorale. Ai e përshkroi ERTV-në si një “dritare” për aktivitetet e qeverisë.
Misioni ndërkombëtar ngre po ashtu shqetësimin se legjislacioni i propozuar nga qeveria për monitorimin e medias online nuk është në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Sipas organizatave më të mëdha europiane për lirinë e shtypit, qeveria shqiptare po përpiqet të kontrollojë median e lirë.
“Ne jemi të shqetësuar se Shqipëria, një demokraci, një shtet anëtar i Këshillit të Europës dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), dhe një vend kandidat për Bashkimin Europian, nuk po respekton detyrimet e saj për të garantuar dhe mbrojtur lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit siç kërkohet nga ligji shqiptar dhe instrumentet ndërkombëtare. Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga propozimet e qeverisë së Shqipërisë për ndryshimin e legjislacionin mbi median, i cili detyron mediat online të regjistrohen. Ky ligj do të krijojë po ashtu një organ administrativ që ka fuqinë për të gjobitur ose mbyllur median online dhe për të bllokuar mendiat e huaj pa një urdhër gjykate. Ne konsiderojmë se këto masa tentojnë të krijojnë një rregullim shtetëror për median online, gjë që bie në kundërshti me praktikat ndërkombëtare dhe mund të ketë ndikim të dëmshëm mbi lirinë e shprehjes dhe të informimit dhe lirinë e shtypit në Shqipëri”, thotë delegacioni.
Ekspertët ia kanë shprehur këto shqetësime kryeministrit Edi Rama , i cili u ka premtuar se do të ndryshojë këtë projektligj.
“Në takimin tonë me kryeministrin, ai na informoi se një version i ri i përditësuar i projektit të amendamenteve do të bëhet publik së shpejti pas kritikave ndërkombëtare. Ai deklaroi se në draftin e ardhshëm, mundësia për mbyllje do të eliminohet dhe gjobat do të jenë shumë më të ulëta se sa ishin në projektin fillestar. Ne i mirëpresim këto ndryshime dhe rikujtojmë standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut që thonë se shtetet nuk duhet të imponojnë regjistrim të detyruar të medias online për shkak se kjo mund të ketë një efekt shumë negativ mbi lirinë e medias. Qeveria duhet të sigurohet që ky legjislacion të jetë tërësisht në përputhje me praktikat e OSBE-së, Këshillit të Europës”, thotë misioni ndërkombëtar për lirinë e medias. “Ne jemi gjithashtu të shqetësuar mbi mungesën në vijimësi të transparencës në lidhje me konsultimet mbi projektligjin, i cili u prezantua përgjatë pushimeve të Krishtlindjeve dhe iu dha një periudhë ekstremisht e shkurtër konsultimi. Ne inkurajomë qeverinë e Shqipërisë të konsultohet me gazetarët dhe shoqërinë civile”, theksojnë ekspertët.
Delegacioni shprehu shqetësim edhe për sulmet dhe shpifjet ndaj gazetarëve nga ana e zyrtarëve politikë.
“Gazetarët flasin për një numër në rritje të akuzave për shpifje të motivuara politikisht. Politikanët veprojnë shpesh duke kërkuar dëmshpërblime në shuma disproporcionale. Akte të tilla kanë pasoja serioze mbi gazetarët. Delegacioni pa edhe raportet pozitive nga gjykatat shqiptare, të cilat po zbatojnë gjithnjë e më shumë standardet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në rastet e shpifjeve. Megjithëse dënimet me burg për shpifje u anuluan në vitin 2012, shpifja dhe fyerja mbeten vepra penale të ndëshkueshme me një gjobë penale. Ne rekomandojmë fuqimisht që Shqipëria të anulojë tërësisht ligjin penal të shpifjes”, thotë misioni ndërkombëtar.
Nga ana e tij, kryeministri Rama tha se do të konsiderojë mundësinë e shfuqizimit të plotë të ligjeve të shpifjes. Rama tha se ai personalisht nuk do të përdorte ligjin penal kundër gazetarëve, por do të vijonte të ngrinte padi civile për shpifje kundër gazetareve vetëm në raste “ekstreme”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)





Lini një Përgjigje