Kryeministri Edi Rama është shfaqur sot nga zyra duke firmosur 15 procedura për konfiskim të ndërtimeve, që siç u shpreh ose janë ndërtuar për përfitime, ose janë tërësisht pa leje.
Me anë të një videomesazhi, Rama tha se “qeveria nuk e ka fuqinë ligjore të amnistojë askënd dhe edhe po të dojë, madje dhe konfiskimet nuk i japin askujt imunitet nga drejtësia”.
Ai përsëriti se ndërtimet e konfiskuara do të përdoren për interes publik, ndërsa hapësirat e marra do t’i kalojnë shtetit, që sipas rastit do t’i shfrytëzojë për mjedise zyrash për administratën, për strehim social ose shërbime sociale.
“Ky operacion ligjzbatimi, i cili ka vazhduar përtej Tiranës, në një fushë ku e dini shumë mirë, të gjithë ka pasur shumë probleme në 30 vjet, dhe ku kemi ardhur duke ngushtuar rrethin e shkeljeve, përbën edhe kapakun e kësaj historie, pasi s’besoj se do gjenden më të atillë të marrë që t’i hyjnë një aventure me fund të paralajmëruar”, vijoi Rama.
Ai vijoi se kishte dëgjuar shume komente të cilat nuk janë të vërteta.
“Kur e nisëm çfarë nuk dëgjuam dhe me çfarë nuk u helmua opinioni publik!
‘Është thjesht show për të larguar vëmendjen’! Ja që nuk ishte e vërtetë. ‘Është pazar me oligarkët për t’ua kthyer mbrapsht të legalizuara metrat e katet pa leje’! Ja që as kjo s’ishte e vërtetë.
‘Është amnisti për t’i shpëtuar nga ndëshkimi ligjor’! Gënjeshtër e madhe edhe kjo, sepse qeveria nuk e ka fuqinë ligjore të amnistojë askënd dhe edhe po të dojë madje dhe konfiskimet nuk i japin askujt imunitet nga drejtësia.
E vërteta është që për të gjitha këto, letrat kanë kohë që flenë nëpër prokuroritë e rretheve”, tha Rama ndërsa shtoi se “fatkeqësisht jetojmë në një kohë ultësie morale e tretjeje të normave etike, ku pasqyrat e informimit janë shëmbëlltyrat më ulëritëse të dezinformimit dhe ku gjysëm të vërtetat, të cilat janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, mbushin pa pushim kanalet e komunikimit. Gjithsesi, unë do të vazhdoj të them atë që bëj dhe të bëj atë që them, deri në fund!”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje