Më në fund, në Itali merret vendimi zyrtar: kampionati do të vazhdojë me dyer të mbyllura deri më 3 prill, sipas dekretit të Këshillit të Ministrave. Këtë fundjavë do të luhen ndeshjet e shtyra nga java që shkoi. Juventus-Inter do të luhet të dielën, në orën 20:45, pa tifozë. Pas një dite të gjatë, futbolli gjeti gati mrekullisht unitetin e tij.
Drejtuesit e Napolit dhe më pas Bepe Marota i Interit iu bashkuan takimit për të diskutuar dhe për të marrë vendimin e duhur. Në fillim të diskutimeve, shumë klube u viktimizuan, duke pretenduar se penalizohen më shumë se të tjerët nga mungesa e tifozëve. Në këtë pikë, presidenti i Ligës, Paolo Dal Pino, ka thënë: “Nëse vazhdoni kështu, do të shkoj në federatë dhe do të them se nuk jemi në gjendje të vazhdojmë”. Kjo bëri që drejtuesit e klubeve të bien dakord për të luajtur me dyer të mbyllura deri më 3 prill.
Presidenti i Lacios, Lotito, nuk ishte dakord fillimisht me mbylljen e dyerve të stadiumeve. Ai propozoi që të bisedohej një për një me të gjithë Perfektët në Itali, por më pas u tërhoq. Qeveria italiane doli në konkluzionin se zgjidhja më e mirë në këtë moment është që të luhet pa tifozë në kampionat dhe në Kupat e Europës, duke filluar nga Juventus-Lion. Gjithçka e ka bërë të qartë Ministri i Sporteve, Vinçenco Spadafora. Nuk mund të kishte shtyrje të tjera ndeshjesh, pasi do të krijohej kaos total, kështu që do të luhet, por me dyer të mbyllura. Në Itali situata është bërë shumë e vështirë për shkak të koronavirusit dhe qeveria ka vendosur të shmangë sa më shumë të jetë e mundur pjesëmarrjet masive në aktivitete të ndryshme.
Stadiumet duhet të hapen teorikisht më 4 prill, por edhe kjo datë shihet me dyshim, sepse situata është e tillë. Mbeten pikëpyetje për Kupën e Italisë, ku ndeshjet janë shtyrë dhe nuk dihet kur do të luhen. Për Inter-Sampdoria, “ndeshjen balerinë”, nuk ka një datë të lirë dhe kjo i ka irrituar drejtuesit e Interit. Ka një hipotezë që ndeshjet e Kupës së Italisë të spostohen për në gusht, ndoshta para Superkupës, duke parë rrëmujën e madhe me datat. Për momentin, asgjë nuk mund të merret e sigurt.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje