Futboll

Ndëshkim dhe gjobë, Belgjika ndalon sërish përqafimin pas golit

Pak muaj më parë, kur në disa kampionate rinisën ndeshjet, u vendosën disa rregulla të forta, siç ishte edhe ndalimi i përqafimit pas një goli. Por ky rregull zgjati pak, sepse është shumë e vështirë që ta ndalosh një futbollist te festojë pasi ka shënuar.

Tani, me valën e dytë të Covid-19, janë rikthyer edhe rregullat e muajve të mëparshëm. Belgjika është një nga vendet më të goditur nga pandemia dhe futbolli aty ka pasur probleme, edhe pse në mars kampionati u ndërpre dhe u deklarua i mbyllur pa u luajtur ndeshjet e mbetura. Tani që ndeshjet luhen është rritur numri i të infektuarve edhe në futboll, ndaj dhe drejtuesit e federatës kanë shtrënguar masat.

Lojtarët e Bryzhit festojnë pas një goli. Gazeta Si, 29 dhjetor 2020

Sipas “Brussels Times”, do të ndalohet përqafimi mes lojtarëve të një skuadre pas golit, në të kundërt do të ketë ndëshkime dhe gjoba. Nëse lojtarët përqafohen mes tyre, do të ndëshkohen me karton të verdhë ose do të gjobiten me 750 euro. Edhe festa në dhomat e zhveshjes është e ndaluar. Ai klub që nuk respekton rregullin, gjobitet me 10 mijë euro.

Një vendim i komplikuar, që do t’ua bëjë jetën të komplikuar arbitrave, të cilët duhet të kenë kujdes për ata që shënojnë dhe festojnë. Janë disa pyetje që kërkojnë përgjigje tashmë: Si vendoset limiti për festën e golit? A lejohet festa në stol? Duhet kuptuar si do të funksionojë ky rregull. Për momentin, është më mirë që lojtarët të qëndrojnë larg.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë