Futboll

Ndizet “El Clasico”, arbitri është një “armik” i Barcelonës

“El Clasico”, ndeshja më e ndjekur në botë, do edhe dy të luhet, por polemikat sa vijnë dhe shtohen. Arbitri i caktuar për të vendosur drejtësi në këtë supersfidë, Alehandro Hernandez, ka një të kaluar problematike për Bercelonën në disa ndeshje të saj.

Vendimi për të caktuar këtë arbitër ua ka prishur gjumin drejtuesve dhe tifozëve të Barcelonës. Sipas shtypit spanjoll, arbitri Hernandez ka favorizuar Realin dhe ka dëmtuar Barcelonën. Sipas “El Mundo Deportivo”, arbitri në fjalë ka drejtuar sezonet e fundit tri ndeshje mes Barcelonës dhe Real Madridid dhe në asnjë rast kampionët e Spanjës nuk kanë dalë të kënaqur. Konkretisht, sezonin 2016-17 Hernandez injoroi një goditje të Marselos ndaj Lionel Mesit. Në atë rast pati jo pak goditje në fushë, ndërsa Mesi mbeti i shtrirë për disa minuta me buzën të gjakosur dhe në fund asnjë masë. Mes polemikash ai sinjalizoi fundin e ndeshjes me publikun katalanas që festonte fitoren 2-3 në “Santiago Bernabeu”. Më 23 prill të 2017-ës, po ky arbitër fali Kasemiron që e kishte një të verdhë për një shkelm ndaj Mesit.

Një precedent tjetër i takon sezonin 2015/16, kur sërish Hernandez i ka kursyer kartonët për Realin. Ai i dhuroi rreth një orë lojë Serxhio Ramosit. Pas ndëshkimit me kartonin e parë të verdhë që në minutën e 9-të, kapiteni i Realit rrezikoi të linte fushën para të tjerëve në tri raste, në minutat 23’, 46’ dhe 50’. Gjithsesi, nuk ia doli ta mbante në lojë deri në fund, sepse në minutën e 83-të erdhi i kuqi që Ramos e kërkoi praktikisht me të gjitha mënyrat.

Përsëri Hernandez në sezonin 2017/18. Ndeshja përfundoi 2-2, me Serxhi Roberto të ndëshkuar me karton të kuq dhe me Gareth Bejlin të falur, pas një ndërhyrjeje të ashpër nga prapa ndaj Umtitit. Në të gjitha këto raste, edhe Reali ka pasur diçka për të kontestuar, por e sigurt është se peshorja anon në disfavor të Barcelonës, pavarësisht rezultateve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë