Kryeministri Edi Rama do të takojë të martën në Tiranë liderët e partive politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut.
Ftesë për takim kanë marrë kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ai i ASH-së, Arben Taravari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami dhe kreu i Alternativës, Afrim Gashi.
Që të katërt e kanë konfirmuar pjesëmarrjen, njoftojnë mediat maqedonase.
Por Lëvizja BESA e ka një kusht.
“Në si Lëvizje BESA nuk kemi asnjë dilemë të vetme tek qëllimi i pastër i kryeministrit të Shqipërisë, për atë që interesohet për situatën politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Shqetësimi jonë si Lëvizje është tek BDI dhe Ali Ahmeti, tek lojërat dhe hilet e tij sa i përket këtyre takimeve, pasi që çdo herë kur ai ka telashe brenda subjektit të tij keqpërdor diçka të tillë, andaj ne i përgjigjemi pozitivisht ftesës së kryeministrit pa e parë të arsyeshme të ulemi me BDI-në dhe Ali Ahmetin në një tryezë” tha Faruk Avdiu zëdhënës i Lëvizjes BESA.
Takimi i kryeministrit Edi Rama vjen në një moment kyç për Maqedoninë e Veriut, pasi në Parlament duhet të votohen ndryshimet kushtetuese.
Sigurimi i votave për ndryshimet kushtetuese pritet të jetë sfida e këtij viti për qeverinë e Maqedonisë së Veriut, në mënyrë që të mund të mbahet konferenca e dytë ndërqeveritare me BE-në.
Ndryshimet nënkuptojnë futjen e komunitetit bullgar në preambulën e Kushtetutës, ‘molla e sherrit’ që çoi në shtyrjen e negociatave deri vjet me dy vendet e Ballkanit.
Por zëdhënësi i BDI-së, njëherë edhe ministër i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot tha se takimi i paralajmëruar i liderëve të partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama është në kuadër të Vitit të Ri dhe sfidat që e presin rajonin. Osmani tha se Rama është mik i dëshmuar i Maqedonisë së Veriut.
“Sipas informacioneve të mija nuk ka ndonjë agjendë të paraparë prej më herët mbi të cilën do të flitet, por do të jetë më shumë si një lloj takimi për Vit të Ri për të uruar suksese në vitin të cilin e kemi përpara. Në këtë aspekt e shoh edhe këtë takim, më duhet të them se kryeministri i Shqipërisë është mik i dëshmuar i Maqedonisë së Veriut dhe veçanërisht këtë e ka treguar edhe gjatë muajve kur kishim negociata me Bullgarinë, kur bukfalisht në llogari ndonjëherë edhe të Shqipërisë, ekspozohej dhe i tregonte pozicionet edhe të Maqedonisë së Veriut”, tha mes tjerash Osmani.
Shqiptarët kërkojnë të hiqet përkufizimi në Kushtetutë si popull “20%”
Partitë shqiptare në opozitë në Maqedoninë e Veriut ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në të, si popull shtetformues i kanë kushtëzuar me ripërcaktimin e gjuhës shqipe në Kushtetutë. Aktualisht, gjuha shqipe në Kushtetutë njihet si gjuhë, të cilën e flasin mbi 20 për qind nga numri i përgjithshëm i popullsisë.
Ndryshimet kushtetuese bëhen me dy të tretat e votave në Kuvend apo me 80 vota të deputetëve nga 120 sa numëron institucioni ligjvënës.
Shumica parlamentare përbëhet nga 63 deputetë dhe pa mbështetjen e opozitës nuk do të mund të miratohen ndryshimet, që janë të domosdoshme pasi parashihen në Marrëveshjen me Bullgarinë për bisedimet e integrimit evropian.
Aleanca për Shqiptarë dhe Lëvizja Besa që kanë 10 deputetë kanë thënë se nuk i mbështesin ndryshimet kushtetuese nëse nuk ndryshon formulimi i gjuhës shqipe.
“Heqja e 20 për qindëshit do të jetë kusht i Aleancës për Shqiptarët për mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese. Kjo çështje njëherë e përgjithmonë duhet të zgjidhet”, ka deklaruar kryetari i kësaj partie, Arben Taravari.
Lëvizja Besa ka thënë se mbështet ndryshimet kushtetuese për të çuar para integrimin evropian, por paralelisht me këtë kërkon të plotësohet edhe kërkesa për statusin e gjuhës shqipe.
“Lëvizja Besa është për ndryshimet kushtetuese dhe do të mbështesë gjithçka që ka të bëjë me përshpejtimin e integrimit evropian. Në këtë frymë e shohim edhe pjesën tjetër, për të cilën ne jemi të interesuar që të jetë pjesë e ndryshimeve kushtetuese, pra që të hiqet 20 për qindëshi për gjuhën shqipe”, ka deklaruar Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.
Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim që është pjesë e Qeverisë është për ndryshimin e përkufizimit të shqiptarëve në Kushtetutë.
Kryetari i Grupit Parlamentar të BDI-së, Arbër Ademi, ka thënë se “ka ardhur koha që të hiqet termi “20%” dhe zëvendësimi i të njëjtit me formulim adekuat siç është “gjuha shqipe” dhe “populli shqiptar”.
Partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, ka thënë se do të pranonte ndryshimin sa i përket gjuhës shqipe, por ajo ka kërkuar që nga Kushtetuta të hiqet parimi për mbrojtjen e bashkësive etnike, apo të shqiptarëve nga mbivotimi dhe nga përcaktimi tjetër kushtetues që parasheh garantimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore.
Por, kjo për partitë shqiptare është e papranueshme, pasi dy këto dispozita janë thelbësore, sipas tyre, për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve.
Se ndryshimet kushtetuese vështirë do të realizohen flet edhe qëndrimi i VMRO DPMNE-së ndaj pjesës me Bullgarinë.
Ajo thotë se “nuk është kundër përfshirjes së pakicës bullgare në Kushtetutë, por kundër marrëveshjes me Bullgarinë, të cilën e vlerëson të dëmshme për interesat shtetërore e kombëtare maqedonase”.
“Ndryshime kushtetuese nën kushtet aktuale ne nuk do t’i mbështesim. E them publikisht se asnjë deputet i partisë nuk do të votojë për ndryshimet të tilla”, ka deklaruar kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
VMRO-ja, tha Mickoski, kërkon garanci nga BE-ja se “bullgarët nuk do të vendosin kritere të reja dhe procesi i anëtarësimit të Maqedonisë [së Veriut] të bëhet deri në vitin 2030”.
Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, thotë se për të gjitha këto çështje duhet të ketë debat ndërmjet partive politike.
“Shoh se të gjitha partitë politike kanë qasje pozitive sa i përket ndryshimeve kushtetuese, madje edhe ato që ishin kundër tani thonë se duan kushte të caktuara që t’i mbështesin ndryshimet. Mendoj se të gjitha partitë duhet të ulen dhe t’i prezantojnë qëndrimet e tyre që në fund të gjejmë një zgjidhje që do të ishte e pranueshme për të gjitha palët”, ka deklaruar Kovaçevski.
Njohësit e çështjeve kushtetuese gjithashtu kanë qëndrime të ndryshme, në veçanti në kushtëzimet e partive politike shqiptare.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Trendafil Ivanovski, nuk beson se këto ndryshime kushtetuese do të avancojnë apo përmirësojnë cilësinë e aktit më të lartë juridik të shtetit.
“Partitë politike kanë të drejtë demokratike dhe legjitime ta ngritin këtë çështje”, konsideron Ivanovski, por për të është kontestues momenti dhe periudha kur bëhet kjo kërkesë dhe mënyra se si i qasen partitë, pasi mund të krijojë më shumë komplikime sesa të rrisë cilësinë në Kushtetutë.
Sipas tij, gjuha shqipe tashmë është mjaft e përfshirë në praktikë në shumë fusha, si në arsim, andaj, sipas tij, përdorimi i saj nuk kontestohet askund.
“Për përqindjen mund të gjendet një lloj zgjidhjeje, por kjo çështje nuk duhet të përdoret për shantazh, sepse në të ardhmen këtë mund ta bëjnë edhe partitë e bashkësive tjera etnike, jo vetëm për gjuhën, por edhe për çështje të tjera, për të cilat nuk do të ketë mundësi të gjendet një zgjidhje demokratike”, thotë Ivanovski.
Por, Bashkim Selmani, profesor në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës, thotë se formulimi “20 për qind” në Kushtetutë është në kundërshtim me të drejtën natyrore.
“Shqiptarët nuk janë të kënaqur me një formulim të tillë, askush nuk e di pse është vendosur kështu, dhe as cili është rezultati i një zgjidhjeje të tillë, prandaj vetë shqiptarët duan të mos trajtohen si 20 për qind. Nga ana tjetër, partitë maqedonase, si VMRO-DPMNE-ja, këtë e kushtëzojnë me heqjen dorë nga Badenteri, por kjo nuk do të ndihmojë asgjë dhe do të pengojë ndryshimet kushtetuese”, thotë Selmani.
Sipas Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, gjuha shqipe është zyrtare në komunat me shumicë shqiptare, në Shkup, si dhe në institucionet qendrore, si në Kuvend dhe Qeveri, por si gjuhë që e flasin mbi 20 për qind e qytetarëve nga numri i përgjithshëm i banorëve të Maqedonisë së Veriut.
Mbi bazën e këtij përkufizimi shqiptarët realizojnë të drejtat tjera, si përdorimin e simboleve kombëtare, përfaqësimin në institucione, arsim, kulturë e sfera tjera.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje