Politike

Ndryshimet në qeveri, Zoran Zaev edhe Ministër i Financave

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev bëri të ditur emrat e ministrave të rinj të cilët do të drejtojnë disa prej posteve në kabinetin e tij. Vetë Zaev do të drejtojë Ministrinë e Financave.

Për postin e ministrit të ri të Ambientit jetësor, propozohet Naser Nuredini, i cili do të zëvendësojë Sadulla Durakun. Ndërkaq  Duraku kalon në krye të ministrisë së re për Sistem Politik, e cila pason Sekretariatin për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Të dy ata janë pjesëtarë të Bashkimit Demokratik për Integrim.

Për ministër të Kulturës u propozua Hysni Ismaili nga radhët e partisë Alternativa. Goran Milevski i Partisë Liberal-Demokrate vjen në vend të Suhejl Fazliut të Rilindjes Demokratike Kombëtare. Po ashtu do të ndryshohet edhe ministri i Bujqësisë.

Kryeministri Zaev tha se detyrën e ministrit të Financave do ta kryejë për një periudhë të caktuar.

Ai ia ka dorëzuar parlamentit listën me emrat e kandidatëve, ndërsa pret që brenda javës së ardhshme të votohet përbërja e re e qeverisë.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut paralajmëron se brenda javës që vjen do të bëjë edhe ndryshimet në postet e disa zëvendë-ministrave dhe të drejtorëve të ndërmarrjeve publike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë