Gazeta Si – E futur në automjete civile me drita të zbehta, një njësi ushtarësh pret në heshtje në errësirë në anë të rrugës.
Më mbrapa është vendosur një njësi e dytë, një dritë e vetme në një makinë zbulon fytyrën e një ushtari. Akoma më tej në pjesën e pasme lëviz një njësi tjetër ushtarake.
Pas muajsh luftimesh, beteja për qytetin ukrainas të Bakhmut duket se po arrinte kulmin ditët e fundit. Trupat ruse pothuajse rrethuan qytetin, ndërsa disa njësi ukrainase u tërhoqën.
Por befas, të shtunën në mëngjes, brigadat ukrainase u hodhën në kundërsulm. Gjatë fundjavës, qindra trupa iu bashkuan kundërofensivës, duke nisur sulmet nga toka dhe duke granatuar pozicionet ruse me artileri nga kodrat përreth.

Komandantët ukrainas e pranojnë se forcat e tyre në Bakhmut janë ende në rrezik për t’u rrethuar, por luftimet gjatë fundjavës së kaluar tregojnë se ushtria ukrainase, e cila ka befasuar botën me qëndrueshmërinë e saj, nuk është ende gati të heqë dorë nga Bakhmut. Se si mbajtja e qytetit përshtatet në planet më të gjera është më pak e qartë.
Edhe përpara se Ukraina të shtonte sulmin e saj ndaj rusëve në Bakhmut gjatë fundjavës, trupat ukrainase kishin mundur tashmë trupat ruse nga rruga e fundit kryesore për në qytet.
Kjo la një linjë furnizimi – e cila ndihmoi ushtarët ukrainas të kontrollonin ofensivën ruse për muaj të tërë – dhe një rrugë shpëtimi nëse vendosin të tërhiqen.

VLERA E VOGËL STRATEGJIKE
“Kam besim se Bakhmut do të rezistojë”, – tha koloneli Yevhen Mezjevikin, komandant i një grupi taktik të kombinuar që lufton në Bakhmut.
“Ne kemi trupa të mjaftueshme për të përzënë armikun nga ky qytet, por kjo varet nga detyrat e komandës, nëse ajo është mbajtja e qytetit apo shkaktimi i humbjeve maksimale ndaj armikut”.
Ushtarët e tjerë në terren duken shumë më pak të sigurt. Bakhmut, një qytet, popullsia e të cilit ishte 70,000 para luftës, ka pak vlerë strategjike. Ishte thjesht i radhës në vijën e qitjes së një ofensive ruse për të marrë provincën lindore të Donetsk.
Por beteja për qytetin krijoi një moment përcaktues në luftë për ushtritë ruse dhe ukrainase. Beteja nuk ka të bëjë më me Bakhmut: është një betejë maratonë për të parë se cila ushtri mund të thyejë tjetrën.
Rusia ka dislokuar dhjetëra mijëra trupa të sapomobilizuara në një sulm masiv tokësor për të marrë qytetin thjesht me zjarr dhe fuqi punëtore.
Ukraina ka përdorur çdo taktikë të vitit të kaluar të luftës, të mësuar nga përvoja e dhimbshme, për të mbajtur veten dhe për t’i shkaktuar sa më shumë viktima pushtuesit. Shpesh ka përleshje nga ndërtesa e shkatërruar në ndërtesë.

Forcat ukrainase kanë humbur vazhdimisht terren, duke hequr dorë nga fshatrat dhe periferitë javët e fundit.
Dhe dimri i vonë ka qenë veçanërisht i vështirë. Javët e të ftohtit të acartë dhe fillimi i sezonit të baltës ua kanë zbrazur fuqinë, thonë ushtarët.
“Mjegulla është konstante, çdo natë nuk shohim pothuajse asgjë”, – thotë komandanti i një njësie dronësh luftarakë të bashkangjitur në brigadën e 59-të në një video-mesazh nga fronti.
Ai prezantohet me emrin e koduar “Madyar”. “Temperatura është mbi zero për ditën e tretë”, shton ai. “Gjithçka është shkrirë. Baltë deri në gju. Bie shi dhjetë herë në ditë. E bën të vështirë kryerjen e detyrave taktike”.
Në fund të javës së kaluar, “Madyar” tha se njësia e tij po tërhiqej. Njësitë e tjera kanë bërë të njëjtën gjë. Mbetet e paqartë nëse lëvizjet ishin pjesë e një rrotullimi apo një tërheqjeje të kontrolluar.

MUNGESË MUNICIONESH
Në një qytet aty pranë, Chasiv Yar, fuqia e tmerrshme e sulmit rus është e pamohueshme. Dyqanet dhe shtëpitë janë të mbushura me dërrasa dhe rrugët janë të shkreta, me përjashtim të disa qytetarëve me qese plastike.
Gjatë vizitave të fundit, shpërthime shurdhuese tingëllonin pothuajse vazhdimisht, ndërsa artileria ukrainase qëlloi mbi pozicionet ruse në dhe përreth Bakmhut, por ushtria ruse u kundërpërgjigj.
Lena, një grua që po shkonte në shtëpi të shtunën pasdite me sendet e saj ushqimore, i injoroi shpërthimet dhe mezi pa raketat e pashpërthyera që dilnin nga asfalti.
“Vajza ime u largua, por unë qëndrova”, thotë ajo. “Shtëpia ime është këtu”. Në fillim të javës së kaluar, shpëtimtarët nga shoqata bamirëse Save Ukraine, hynë për të evakuuar disa nga banorët e fundit në një lagje veçanërisht të cenueshme pranë kanalit.
Ata nxorën një çift, Viktor (73 vjeç) dhe Lyudmila (67). Ata ishin larguar nga shtëpia e tyre, pasi banesa e një fqinji ishte goditur nga një granatë. Një çift i dytë refuzoi të shkonte. Burri tha se gruaja e tij kishte dhimbje barku.
Njësitë e ushtrisë ukrainase janë të shpërndara mbi kodrat që shtrihen për milje rreth Chasiv Yar dhe Bakhmut.
Armët e artilerisë dhe tanket janë vendosur në radhët e pemëve dhe ushtarët janë të shpërndarë nëpër shtëpi, automjetet e tyre të fshehura nën rrjetat e kamuflazhit ose pas ndërtesave.

Herë pas here avionët ukrainas fluturojnë mbi ta, shpesh në mëngjes, në rrugën e tyre për në vijën e parë. Por kjo është kryesisht një luftë artilerie.
“Ne zmbrapsim pesëmbëdhjetë deri në njëzet sulme në ditë”, – thotë Vladyslav, 26 vjeç, komandant i një baterie artilerie vetëlëvizëse gjashtë deri në tetë kilometra nga periferia e Bakmhut. “Sot gjërat po shkojnë pak a shumë mirë”, – thotë ai i gëzuar.
Shkalla e zjarrit të artilerisë është jashtëzakonisht e lartë. “Mesatarisht, ne gjuajmë 80 deri në 120 predha në ditë”, – thotë Vladyslav. “Në një muaj e gjysmë ne qëlluam më shumë se 5000 predha”.
Por artilerisë po i mbarojnë municionet, një problem që komandantët e lartë thonë se shpjegon humbjen e vazhdueshme të terrenit.
Mezjevikin vijon: “Ka mungesë armatimesh. Do të doja më shumë njerëz, më shumë automjete, më shumë municione të shkatërronin armikun në rrugët hyrëse dhe rezervat e tij, në mënyrë që njerëzit tanë të pësojnë më pak humbje dhe të mos kenë nevojë të luftojnë kaq intensivisht”.
Njësive u është dashur të mësojnë të përdorin municionet e tyre me mençuri, thotë majori Olexander Pantsyrny, komandant i batalionit sulmues Aidar, një njësi e njohur luftarake. “Ne duhet të planifikojmë dhe llogarisim vazhdimisht konsumin tonë të municionit”.

“KUTI VRASJEJE”
Për shkak të këtyre kufizimeve, njësitë luftarake ukrainase po luftojnë për të përballuar përparimin e grupit “Wagner”, ushtria mercenare që udhëheq ofensivën ruse për të marrë Bakhmut.
“Wagner” i ka forcuar trupat e tij me mijëra të dënuar, por profesionistët e tyre janë të aftë, raportojnë disa komandantë ukrainas që luftuan kundër tyre.
“Ne e kuptuam se ata ishin kundërshtarë të denjë, – thotë Pantsyrny. – Ata kanë përvojë mjaft solide luftarake, kanë personel të motivuar”. Batalioni i tij u dërgua për të sulmuar pozicionet e “Wagner” pranë fshatit Kodema, në jug të Bakhmut.
“Armiku dërgoi 20 burra në sulm gjashtë deri në shtatë herë në ditë”, tha Olexander, një komandant kompanie që mori pjesë në sulm. Në përputhje me protokollin ushtarak, ai nuk e tregon mbiemrin e tij.
“Imagjinoni: vijnë njëzet burra, ne i vrasim. Për pesë minuta, vijnë edhe 20 burra të terë, ne sërish i vrasim. Në një orë, njëzet të tjerë. Ata (rusët) nuk kujdesen për njerëzit e tyre”

Pas tre javësh, rusët befasuan batalionet me një lëvizje krahu, duke thyer një njësi më të dobët, ndërsa batalioni Aidar u detyrua të tërhiqej.
Një komandant i një batalioni tjetër, “Dnipro 1”, i cili luftoi me njësitë “Wagner” për muaj të tërë, thotë se ata i dukeshin më të shkathët dhe më me iniciativë se shumica e njësive të ushtrisë ruse.
Komandanti, i cili flet me emrin e koduar “Duka”, thotë se grupi “Wagner” përdori të burgosur të patrajnuar në vijën e parë të sulmit dhe më pas, pas një ose dy orësh, kur trupat ukrainase u lodhën, dërguan forcat speciale në betejë. Ata sulmuan nga krahët. “Ishte një taktikë shumë e mirë”, – thotë “Duka”.
Por Ukraina ka qenë në gjendje të përdorë Bakhmut-in si një “kuti vrasjesh” për të mposhtur numrin e madh të ushtarëve rusë të sapomobilizuar të futur në fushën e betejës në fund të vitit të kaluar, thotë ai.
Edhe trupat e “Wagner”-it janë rraskapitur që nga vera. “I kemi thyer shtyllat kurrizore; ne vramë të gjithë stafin e tyre ushtarak”, thotë Pantsyrny.

Sipas tij, kanë mbetur vetëm disa ushtarë profesionistë. Do të duhej të menaxhonin mijëra të dënuar që u rekrutuan për të plotësuar gradat, ndërkohë që humbjet janë të dukshme: “Ata përpiqen, por rezultatet nuk janë më të njëjtat”.
Trupat ruse megjithatë kanë avancuar falë numrit të tyre më të madh, të përforcuar nga dhjetëra mijëra rekrutë të rinj dhe nga forca brutale.
Ata ndonjëherë shkatërrojnë blloqe të tëra për të mposhtur një snajper të vetëm, sipas një njësie ushtarësh.
Por humbjet ruse, veçanërisht midis burrave të “Wagner”-it, janë të mëdha dhe komandantët ukrainas më të sigurt këmbëngulin se rusëve u mbetet pak forcë. “Rusia po sulmon me pjesët e saj të fundit”, – thotë Olexander.

Megjithatë, humbjet janë veçanërisht të rënda për ukrainasit. Për shembull, ka mungesë vullnetarësh në front, thotë “Duka”.
Në nëntor, ai mori një urdhër urgjent “të mblidhte të gjithë njerëzit e njësisë sonë, kuzhinierë, shoferë, punonjës shtypi, fotograf, të gjithë personelin, armët dhe të shkonin në zonën përreth Bakhmut”.
Ata ishin larguar nga fundi i shkurtit: 50 për qind e burrave ishin të plagosur, disa të dëshpëruar dhe apatikë.
Numri i të plagosurve ukrainas nuk bëhet publik, por shumë njësi po tregojnë shenja në rritje të tensionit nga humbjet dhe rraskapitja.
“Ne jemi të lodhur”, – bërtiti një mekanik i ushtrisë, Jaroslav, teksa doli nga një bar në një qytet të vogël një natë javën e kaluar. “Duhet ta dini të vërtetën. Ata po na vrasin”.
Burimi: “New York Times”; Përshtati në shqip: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje