Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, në fjalimin e tij të fundit si ambasador në Shqipëri në mbledhjen e Këshillit të Integrimit, bëri thirrje për bashkëpunim mes palësh.
“Duhet të gjejnë bashkëpunim politik, për atë që është përparësia, që është integrimi…, largimi im nuk do të ndryshoj asgjë nga angazhimi i plotë i delegacionit, kam udhëtuar në të gjithë Shqipërinë, kam bërë mijëra kilometra, mund të jem personi që ka udhëtuar më shumë në Shqipëri, dhe gjithandej e kam kuptuar që njerëzit e kanë kuptuar që prioritet është integrimi në BE, koha për dasmë ka ardhur tashmë, unazat janë bërë gati, vendet anëtare e dinë se çfarë duan, duan që të çelen negociatat për anëtarësim. Do të kthehem në Shqipëri ndoshta me një detyrë tjetër, po do kthehem si një qytetar i thjeshtë, thjesht si Luigi Soreca”, tha Soreca.
Bashkëkryetarja e këshillit kombëtar, Jorida Tabaku tha gjatë fjalës se saj do i mungojnë debatet me ambasadorin lidhur me punën e qeverisë.
“Në emër të opozitës falenderoj komisionin për mbështetjen e pakufishme ekonomike që ka dhënë për Shqipërinë edhe atëherë kur ndoshta nuk i kemi plotësuar të gjitha kriteret, duke e mbyllur edhe një sy pozitivisht.
Shpresoj që standardin e vendosur nga ambasadori Luigi Soreca ta kenë dhe pasardhësit e tij.
Ndiej keqardhje se nuk do kem ato debatet pothuajse të përditshme me ambasadorin Soreca për atë që bën keq qeveria e atë që duhet të bëjë më mirë qeveria, por dhe një avokat shumë i mirë i kujtdo që beson se integrimi në radhë të parë i përket qytetarëve e jo forcave politike”, tha Tabaku.
“Ia jap fjalën zotit Balla që mezi po pret të kundërshtojë këto që thashë unë”, iu drejtua më pas Ballës.
Ky i fundit u përgjigj:
“Kam hequr dorë nga kundërshtimet ndaj jush se mendoj që dhe ju sot patët një moment reflektimi, besoj që ambasadorit pasardhës s’do ia nxini më jetën si ia paskeni nxirë jetën Luigit, e mirë është që ne debatet me njëri tjetrin t’i bëjmë në shqip e kur flasim në anglisht të flasim të gjithë mirë për Shqipërinë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje