Gazeta Si – Një 33-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, u arrestua në Barcelonë dhe është ekstraduar drejt vendit tonë.
Policia shqiptare njofton se Edmir Vlashi alias Edmir Marku, akuzohet për posedim të një arsenali armësh dhe lënde plasëse.
Ai u shpall në kërkim gjatë megaoperacionit policor të koduar “Mataro”, të finalizuar nga Policia e Lezhës, në dhjetor të vitit 2021, ku ranë në pranga edhe 3 të afërm të tij.
Gjatë këtij megaoperacioni, u sekuestrua arsenali i armëve dhe shuma 88 900 euro e dyshuar e përfituar nga tregtimi i armëve, si dhe u vunë në pranga 3 shtetas, të afërm të 33-vjeçarit të ekstraduar nga Spanja.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë i ka caktuar 33-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Më datë 7 dhjetor të vitit 2021, në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Mataro”, në banesën e këtij shtetasi dhe në banesën e të afërmve të bashkëshortes së tij (prindërit dhe vëllai i bashkëshortes, të arrestuar në flagrancë në kuadër të këtij megaoperacioni), shërbimet e Policisë së Lezhës gjetën dhe sekuestruan 6 armë zjarri, 1 armë gjahu, 2 kuti me lëndë plasëse C4, shumën 88 900 euro, kapsolla detonatore, fitila zjarrpërcjellëse, 2 radio si të Policisë, municion luftarak, 1 automjet dhe celularë.
33-vjeçari iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, me qëllim kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje