Ne rrjet

Në Prishtinë vazhdon “sherri” për Qeverinë e re, Beogradi emëron zyrtarët e tij në Veri

Beogradi po shfrytëzon pasigurinë që mbizotëron në Prishtinë për formimin e Qeverisë së re të Kosovës për të shpërblyer me poste drejtues në Mitrovicën Veriore të besuarit e tij të Listës Serbe.

Mediat serbe raportojnë se më shumë se 20 deputetë, zyrtarë dhe drejtues të Listës Serbe janë vendosur nëpër pozicionet drejtuese në veri të Kosovës. Mes tyre janë persona që e kanë një pozicion që u është dhënë nga Kosova, si në rastin e Goran Rakiç, kryetar i Komunës së Mitrovicës së Veriut, njëkohësisht edhe kryetar i Listës Serbe, Sredan Popovic, kryetar i Komunës së Graçanicës, ish-ministri i Pushtetit Vendor në qeverinë e Kosovës, Ivan Todosijevic dhe nënkryetari i Listës Serbe, Vinka Radosavlejviç.

Ndarja e pozicioneve drejtues në veri duke shpërfillur autoritetin e Prishtinës ndërlikon edhe më tej të ardhmen e Listës Serbe në qeverinë e re të Kosovës. Kushtetuta detyron që një post ministror t’i lihet komunitetit serb, por Albin Kurti e ka theksuar në më shumë se një rast se ai nuk preferon që emri të dalë nga Lista Serbe.

Megjithatë, ai thotë se nuk do të shkelë Kushtetutën dhe do të pranojë një serb në kabinetin e drejtuar prej tij, por jo anëtar të Listës Serbe.

“Serb është kombësi dhe jo tesere partie. Ne nuk do të shkelim Kushtetutën, por as do të ndërtojmë një koalicion me Listën Serbe”, deklaroi ai së fundmi.

Por, posti me serbët duket se është pengesa më e vogël për ngritjen e qeverisë së re në Kosovë. Bisedimet mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë ngecur dhe për momentin nuk ka asnjë të dhënë se kur do të rifillojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë