Në morinë e mbi 100 partive politike të regjistruara në Shqipëri, një pjesë e tyre nuk kanë dorëzuar asnjëherë pasqyrat financiare vjetore pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke përfituar nga neglizhenca e KQZ-së dhe interpretimi i ligjit zgjedhor dhe akteve të tjera rregulluese.
Ky detaj u zbulua gjatë mbledhjes së Komisionit për Ankesat dhe Sanksionet këtë të enjte, me rend dite shqyrtimin e ankesave të 20 partive politike të vogla të gjobitura me nga 1 milion lek për dështimin në dorëzimin e pasqyrave vjetore financiare brenda afateve kohore.
Gjatë diskutimeve, anëtari i KAS, Koli Bele pyeti administratën e KQZ-së nëse ndër vite ka parti që nuk kanë dorëzuar asnjëherë pasqyra financiare dhe përgjigja që mori pas ishte “po”.
Sipas diskutimeve në KAS, partitë e vogla që nuk kanë dorëzuar asnjëherë bilance kanë shfrytëzuar një vakuum në ligjin për partitë politike, që nuk përcakton afate për dorëzimin e këtyre bilanceve. Ligji i cakton Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të përcaktojë këto afate.
Një vendim i KQZ-së është ai i 2012-ës, ku përcaktohen se kur duhen dorëzuar bilancet vjetore për vitin 2011. Pas këtij vendimi, partitë e vogla politike pretendojnë se nuk ka pasur afate të vendosura. Administrata e KQZ-së tha se me ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe ligjit për partitë politike pas marrëveshjes së 5 qershorit të vitit të kaluar, KQZ nxori aktin normativ duke përcaktuar datën 31 mars si afatin e fundit për dorëzimin e këtyre bilanceve.
Përfaqësuesit e partive politike ankimuese fajësuan Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për mosdorëzimin e këtyre bilanceve me pretendimin se ky institucion e kishte shtyrë për në shtator këtë detyrim ligjor. Por, administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i rrëzoi këto pretendime duke deklaruar se nuk ka asnjë vendim për shtyrje të këtyre afateve, por ka vendim për shtyrjen e auditimeve financiare.
Githsesi, në fund ata e pranuan se janë në shkelje të ligjit me mosdorëzimin e raporteve financiare, por e lidhën këtë me edhe me paqartësinë ligjore dhe ngarkesën e punës së administratës së KQZ-së në këtë vit zgjedhor. Ata kërkuan nga KAS që “t’i falë” dhe të anulojë gjobat e vendosura nga Komisioneri Celibashi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje