Në 10 muajt e parë të këtij viti kanë humbur jetën 165 persona në aksidentet rrugore në vend, 23% e të cilëve ishin femra, sipas të dhënave të INSTAT.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të 2020-s, kur për disa muaj vendi ishte në karantinë, humbjet e jetëve nga aksidentet janë rritur me 8%. Ndërsa në krahasim me 10 mujorin e 2019-s, është shënuar një ulje me 11%.
Për 10 mujorin e këtij viti, në 85% të rasteve kur aksidenti ka shkaktuar vdekje, fajtorë kanë qenë drejtuesit e mjeteve dhe në 15% sjellja e këmbësorit.
Sipas INSTAT, në muajin tetor 2021 numërohen 127 aksidente rrugore nga 108 aksidente të ndodhura në muajin Tetor 2020, duke u rritur me 17,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Dhjetëmujori i vitit 2021 paraqitet me një rritje prej 13,8 %, ku numërohen 1.151 aksidente rrugore nga 1.011 aksidente të ndodhura në dhjetëmujorin e vitit 2020.

Në muajin tetor 2021, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është 179 persona nga 148 që ishte në të njëjtën muaj të një viti më parë. Në dhjetëmujorin e vitit 2021, numri i të aksidentuarve është 1.570 persona nga 1.312 persona në dhjetëmujorin e vitit 2020.
Në muajin tetor 2021, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 14 persona, nga 15 persona të vdekur në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në dhjetëmujorin e vitit 2021, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 165 persona nga 153 persona të vdekur në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në muajin tetor 2021, aksidentet rrugore, në 85,8 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34 vjeç, duke zënë 27,6 % të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup-moshë janë rritur me 9,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në dhjetëmujorin e vitit 2021, aksidentet rrugore, në 15,5 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është rritur 24,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje