Brenda një viti Autoriteti i Dosjeve ka zbuluar 6 ish-spiunë apo bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. Kështu rezulton në raportin vjetor të këtij institucioni të depozituar në Parlament.
“Në total, për periudhën janar – dhjetor 2022, nga Autoriteti janë marrë 81 vendime dhe janë verifikuar 210 kandidatë, nga të cilët vetëm për 6 kandidatë rezultojnë dokumente, pra figurojnë në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit si b.p., ose si dëshmitarë në procese politike”, thuhet në këtë raport.
Ndërsa bëhet e ditur se në total, që nga krijimi në 2017 e në mbyllje të vitit të gjashtë të punës, janë verifikuar gjithsej 2.399 kandidatë, nga të cilët 2.322 rezultojnë pa dokumente, ndërsa 77 rezultojnë në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit si bashkëpunëtorë, ose punonjës të strukturave të ishSigurimit, ose anëtarë të trupës gjykuese në procese politike që lidhen me fushën e veprimit të ligjit. Autoriteti ka zbuluar se një pjesë që kanë qenë ish-bashkëpunëtorë apo ish-spiunë gjatë regjimit komunist janë shpallur si “Qytetar Nderi” nga disa bashki.
“Vetëm 9 bashki nga 61 prej tyre kanë paraqitur 22 kërkesa për verifikim të pastërtisë së figurës të 60 shtetasve të propozuar, për 1 kandidat për emërim ngritje në detyrë, 15 kandidatë në kuadër të dhënies së titujve vendor të nderit “Qytetar Nderi”, apo dekorim nga ana e Bashkive dhe 44 kandidatë të propozuar për emërtimin e disa hapësirave të territorit publik. Janë mbyllur procedurat e verifikimit për 42 shtetas. Mbi bazën e dokumentacionit të administruar nga Autoriteti, vetëm për gjashtë kandidatë, për emërtimin e disa hapësirave të territorit publik, apo dekorim e tituj nderi, kanë rezultuar dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, nga të cilët 5 figurojnë si bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit, ndërsa 1 kandidat si dëshmitar në çështje penale politike”, thuhet në raport.
Autoriteti ndërkohë shpreh pamundësinë e verifikimit të certifikatave të marra nga komisionet Bezhani apo Mezini. “Kjo pasi, dispozita e sipërcituar,pikë e nenit 29, ka sjellë pengesa dhe ka krijuar veshtirësi. Dokumentacioni i trashëguar mbi aktivitetin dhe veprimtarinë e këtyre komisioneve jo vetem që nuk është autentik dhe original, nuk ka kaluar nëpër një proces të mirë dhe të bazuar në rregulla të qarta mbi administrimin e ruajtjes së dokumentacionit zyrtar, nuk ka një inventar të saktë dhe gjatë përpunimit dhe përdorimit të tij kanë rezultuar pasaktësi”, thuhet në raport. Ndërsa me ligj vendimet e këtyre komisioneve janë zhvlerësuar dhe të gjithë politikanët do të futen në sitë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje