Politike

Negociatat dështuan, Berisha publikon afatet për primaret: Procesi mbyllet me 4 dhjetor

Një ditë pas dështimit të negociatave me grupin “Alibeaj”, Sali Berisha nxori shtabin elektoral për të zyrtarizuar procesin e primareve.   

Kryetarja e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, Albana Vokshi tha nga selia e PD-së se primaret do të zhvillohen në 72 degët e Partisë Demokratike.

Albana Vokshi

Vokshi tha se çdo qytetar mund të regjistrohet si simpatizant në afatet e përcaktuara dhe të vendosë të votojë për kandidatin për bashkinë

“Çdo qytetar që beson se vota e tij vlen mund të regjistrohet si simpatizant në afatet e përcaktuara dhe të vendosë të votojë për kandidatin për qytetar të parë në bashkinë ku jeton. Primaret janë themeli i besueshmërisë së Partisë Demokratike, e cila lindi dhe vazhdon të jetë parti e votës së lirë, parti e njerëzve të lirë. Primaret do t’u tregojnë edhe njëherë qytetarëve përtej Partisë Demokratike, se ne jemi alternativa më e mirë për të qeverisur jo vetëm bashkitë, por për të qeverisur vendin”, tha Vokshi.

Rnno Bozdo

Anëtari Eno Bozdo tha se janë shtuar dy elementë nga zgjedhjet e 6 marsit:  vendosja e balotazhit dhe vendosja e një debati midis kandidatëve të PD në primare.

“Ne mendojmë se data e përshtatshme për të bërë përzgjedhjen e kandidatëve përfundimtare do të jetë 6-13 nëntor”, tha ai.

Afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit të kandidatit për primare për bashkinë Tiranë, Durrës dhe Elbasan është data 6 nëntor ora 20:00. Dhe për të gjitha bashkitë e tjera është 8 nëntor, ora 20:00.

Pas këtij afati nuk do të pranohet asnjë aplikim pasi dokumentacioni do i kalojë Kryesisë së Partisë Demokratike për vlerësimin e kandidaturave dhe është data 13 nëntor kur Kryesia e PD bën lançimin e kandidatëve.

Kandidatët kanë tre opsione: mund të vetpropozohen; të propozohen nga anëtarësia; mund të jenë propozime nga vetë Kryesia e Partisë Demokratike.

Afati i fushatës është përafërsisht 21 ditor dhe me 4 dhjetor zhvillohen primaret.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë