Politike

Negociatat me BE, Shqipëria kërkon ndihmë nga Parlamenti grek

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla është në krye të një delegacioni të mazhorancës që po viziton Athinën, për një sërë takimesh me homologët grekë.

Balla pati një takim me Nikitas Kaklamanis, Nënkryetarin e Parë të Parlamentit grek dhe Kryetar i Komisionit për Çështjet Europiane në Parlament, si dhe Maria Kefala, Kryetaren e Grupit Parlamentar të Miqësisë Greqi – Shqipëri.

Në këto takime, deputetët e delegacionit shqiptar kanë kërkuar mbajtjen pa vonesa të konferencës së parë ndërqeveritare me BE dhe për këtë qëllim kërkuan mbështetjen e kolegëve në Parlamentin grek.

“Mbajtja e menjëhershme e Konferencës së Parë Ndërqeveritare për Shqipërinë në kushtet që vendi i ka plotësuar të gjitha kriteret e vendosura nga Bashkimi Europian është domosdoshmëri. Do të ishte një mesazh i rëndësishëm nëse Parlamenti grek do t’u kërkonte zyrtarisht parlamenteve të vendeve anëtare dhe atij europian përshpejtimin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE”, thuhet në deklaratën e Taulant Ballës.

Në këto takime janë vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve, duke theksuar nevojën e thellimit edhe më tej të tyre.

“Konteksti gjeopolitik dhe agresioni rus kundër Ukrainës imponojnë një përshpejtim të procesit të zgjerimit të BE me vendet e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria dhe Greqia kanë reaguar qartazi në dënimin e këtij agresioni dhe mbrojtjen e integritetit territoral të Ukrainës”, shkruan Balla.

Pjesë e delegacionit shqiptar të drejtuar nga Balla ishin eedhe deputetët Eduard Shalsi, Anila Denaj dhe Arben Pëllumbi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë