Politike

Negociatat, një delegacion eurodeputetësh zbarkon të hënën në Tiranë

Të hënën mbërrin në Tiranë një delegacion prej shtatë eurodeputetësh në një vizitë zyrtare të udhëhequr nga kreu i Komitetit të Çështjeve të Jashtme të Parlamentit Europian, David McAllister.

Qëllimi i vizitës është mbështetja e progresit dhe reformave drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian.

Sipas deklaratës zyrtare të PE, eurodeputetët do të rikonfirmojnë se Shqipëria është gati për nisur negociatat e anëtarësimit. Gjatë vizitës pritet që të adresohen shqetësimet e theksuara në raportimin e miratuar në seancën plenare të 19 maj në Komitetin për Çështjet e Jashtme të PE.

Nuk ka një agjendë të detajuar të takimeve, por në deklaratë thuhet se shtatë eurodeputetët e udhëhequr nga i djathti David McAllister “do të takohen me udhëheqësit politikë, opozitën dhe shoqërinë civile.

Vizita e eurodeputetëve pason ato të Komisionerit të Zgjerimit, Oliver Varhelyi, të Presidentit të Këshilllit Europian, Charles Michel dhe i paraprin samitit të udhëheqësve të BE-së në qershor, ku Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut shpresojnë marrjen e një date për negociatat.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, eurodeputetët do të vizitojnë gjithashtu një shkollë të rindërtuar me fondet e BE në kuadër të programit “EU4Schools”, pikën e kalimit kufitar me Malin e Zi të ndërtuar me mbështetjen e BE dhe mbikëqyrin mbrojtjen e biodiversitetit të Liqenit të Shkodrës.

Pas Shqipërisë, eurodeputetët do të vizitojnë Malin e Zi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë