Kryeministri Edi Rama është i bindur se Shqipëria do të plotësojë shpejt kushtet e vendosura nga Bashkimi Europian për t’u plotësuar para se të ndodhë mbledhja e parë ndërqeveritare. Mes këtyre kushteve janë reforma zgjedhore dhe ngritja e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese.
Asnjëra prej këtyre nuk është plotësuar deri më tani, ndërkohë që për reformën zgjedhore palët do të mblidhen të hënën për të diskutuar sërish në Këshillin Politik. Megjithatë, Rama tha se vendi po përgatitet për negociatat, ftoi opozitën dhe Presidentin për dialog.
“Tani që kërkohet përgatitja serioze për konferencën ndërqeveritare, plani i punës është i detajuar dhe duhet të vazhduar të konsultohet hap pas hapi. Këtu duhen të gjithë aktorët, edhe pse qeveria mban peshën kryesore. Ne jemi gati për t’u ulur në një tryezë të gjerë me Presidentin, kryetarin e opozitës dhe të gjithë aktorët e tjerë përfaqësues të institucioneve të pavarura të drejtësisë. Të shprehim vullnetin e përbashkët, secili të bëjë detyrat e veta, jo për t’u imponuar të tjerëve që të bëjnë detyrat e tyre, por për një mesazh të fortë uniteti kombëtar në këtë proces”, deklaroi Kryeministri gjatë një konference për shtyp me kreun e delegacionit të BE-së në Tiranë, Luigi Soreca.
Në këtë konferencë të mbajtur në Ditën e Europës, Rama bëri publik edhe personin që do të drejtojë ekipin shqiptar në këto negociata.
“Është momenti për ta thënë të emrin të kryenegociatorit, një personalitet pa të sharë, edhe pse nuk ka ngurruar që të kritikojë edhe qeverinë tonë. Kjo është një arsye më shumë për ta përfshirë në këtë proces. Një personalitet i diplomacisë shqiptare, i gjithëpranuar për dijen dhe aftësitë e tij, qoftë kur ka kryer misione, qoftë kur ka kryer detyra të rëndësishme, ambasadori Zef Mazi. Ai do të jetë kryenegociatori”, tha Kryeministri.
Rama solli si shembull takimet me Metën e Bashën gjatë mbledhjeve të Këshillit Kombëtar të Sigurisë. Fryma e këtyre mbledhjeve me dyer të mbyllura, Kryeministri kërkoi që të përçohej edhe në publik.
“Në takimet me mbyllura që kemi pasur me Presidentin, kryetarin e opozitës në Këshillin e sigurisë nuk jemi marrë për të gjitha, por mënyra që janë trajtuar mosdakordësitë është ajo që të gjithë ta kalonim nga një hapësirë e mbyllur në publike. Nëse do të kishit parë tonin, kapacitetin dëgjues të të gjitha palëve dhe adresimin e çështjeve nga palët, edhe për mosdakordësitë, do të thoshit UAU, politika shqiptare të arrijë vallë deri këtu?! Nëse ai format etik dhe ajo atmosferë do të kalonte në pronësi të publikut dhe komunikimit në publik, Shqipëria do të dukej ku e ku më mirë dhe nuk do të kishim zili vende më të mëdha të përgatitura. Tangoja dhe vallja e shpatave nuk kërcehet vetëm dhe përsa më takon unë jam gati”, u shpreh ai.
Ndërkohë, ambasadori i BE në Tiranë përsëriti mbështetjen e Brukselit për Shqipërinë, si për të përballuar dëmet e tërmetit, ashtu edhe për të dalë nga kriza e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje