Politike

Netanyahu falenderon Shqipërinë për mbështetjen në konfliktin me palestinezët

Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu ka falënderuar shtetet që kanë dalë hapur në mbështetje të vendit në përplasjet e fundit me palestinezët.

Në një postim në Twitter, duke radhitur flamujt e shteteve si SHBA, Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Gjermani etj, Netanyahu i falenderon për mbështetjen që ata kanë dërguar në atë që ai e cilëson si e “drejta jonë për t’u mbrojtur kundër sulmeve terroriste.”

Falenderimi vjen pasi Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar disa ditë më parë për konflikitin në Gaza mes Izraelit dhe Palestinës, ku shprehet e shqetësuar për përshkallëzimin e dhunës në Jeruzalem dhe për sulmet me raketa që po bëhen mbi Izrael.

Shqipëria u bashkohet thirrjeve për rikthimin e paqes dhe që të shmanget përshkallëzimi i mëtejshëm i konfliktit. Shqipëria është thellësisht e shqetësuar për përshkallëzimin e dhunës në Jeruzalem dhe në Gaza. Sulmet me raketa kundër Izraelit janë të pajustifikueshme dhe rrezikojnë një përshkallëzim serioz të dhunës që do të sillte një dëm si për civilët izraelitë dhe palestinezë.

Mes flamujve të postuar nga Netanjahu mungon ai i Kosovës, Ministria e Jashtme e së cilës doli në krah të Izraelit vetëm disa orë më parë.

Ministria e Jashtme e Kosovës ka thënë se Izraeli ka të drejtë dhe detyrim të mbrojë popullin e tij kundër 2,000 raketave të hedhura ndaj civilëve, vetëm nga Hamasi. Ky është reagimi i parë zyrtar i Kosovës, që nga përshkallëzimi i dhunës mes Izraelit dhe grupit militant Hamas që udhëheq Rripin e Gazës, gjashtë ditë më parë.

Duke shprehur pikëllim për të gjitha viktimat, në reagimin e ministrisë së Jashtme të Kosovës vlerësohet se Hamasi po mban civilët palestinezë si pengje të luftës së tij. Kosova u bën thirrje palëve të përfshira në konflikt për përmbajtje, ndalje të dhunës dhe arritjen e një zgjidhjeje paqësore.

Shpërthimi i dhunës gjatë gjashtë ditëve të fundit pasoi disa javë tensionesh në rritje në Jerusalemin Lindor, që kulmuan me përleshje në një vend të shenjtë të nderuar nga myslimanët dhe hebrenjtë. Hamas, grupi militant palestinez që drejton Gazën, filloi të lëshonte raketa pasi paralajmëroi Izraelin të tërhiqej nga vendi, por ky i fundit u përgjigj me sulme ajrore.

Që nga fillimi i luftimeve të paktën 148 njerëz janë vrarë në Gaza, sipas zyrtarëve palestinezë, dhe Izraeli ka raportuar 10 të vdekur, përfshirë dy fëmijë. Izraeli thotë se dhjetëra militantë janë midis të vdekurve në Gaza, ndërsa zyrtarët palestinezë të shëndetësisë thonë se numri i të vdekurve përfshin 41 fëmijë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë