Gazeta Si – Në orët e fundit, po shihet një qëndrim gjithnjë e më i shpër i Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër Rusisë.
Deri më tani, Joe Biden dhe Sekretari i Shtetit Antony Blinken, kanë qenë gjithmonë të shqetësuar për të lënë “të hapur rrugën e diplomacisë”. Por ky hap, kjo gatishmëri për të de-përshkallëzuar, duket se është lënë mënjanë përballë zhvillimeve dramatike të luftës në Ukrainë.
Në fjalimin e fundit, mbajtur të martën më 1 mars, presidenti amerikan nuk përmendi kurrë negociatat midis rusëve dhe ukrainasve që pritet rifillojnë.
Sinjalet, të paktën ato që mediat janë në gjendje të japin, tregojnë për një administratë të vendosur t’i përgjigjet “goditje për goditje” ofensivës së Vladimir Putin në terren. Ka të paktën katër udhëzime për t’u ndjekur.
1 – Le të fillojmë me armët, në mënyrë të pashmangshme. Dy ditë më parë Biden njoftoi se do të jepte urdhrin për intensifikimin e “ndihmave të sigurisë”, domethënë armëve dhe mjeteve që do t’i dërgoheshin Ukrainës. Mbrëmë CNN zbuloi se “qindra raketa anti-ajrore Stinger”, tashmë janë dërguar. Ndoshta janë të paktën “200”, sipas burimeve në Kongres. Pentagoni po përshpejton ritmin e tij, duke përfituar nga vështirësitë logjistike që, së bashku me rezistencën ukrainase, po frenojnë rusët.
Ekziston problemi se si të dërgohen armë dhe municione në Kiev. Me sa duket ideja është të diversifikohen kanalet e hyrjes: jo vetëm Polonia, por edhe Hungaria dhe Rumania. Është një operacion i rrezikshëm, sepse autokolonat mund të goditen nga aviacioni rus, me pasoja të paparashikueshme në konfrontimin e deritanishëm të largët mes SHBA-së, NATO-s dhe Rusisë.
2 – Sanksionet. Biden, duke iu përgjigjur menjëherë një pyetjeje nga një gazetar, dje tha se “të gjitha opsionet janë në tryezë”, duke përfshirë kufizimet në importin e gazit dhe naftës. Amerikanët dhe evropianët kishin përgatitur një sërë masash që do të zbatoheshin gradualisht. Tani Shtëpia e Bardhë po përgatitet për veprime më drastike, veçanërisht nëse Putin urdhëron masakrën e civilëve në Kiev dhe qytete të tjera (në Kharkiv tashmë ka filluar).
3 – Sanksionet personale. Presidenti i SHBA-ve po shtyn një përndjekje, duke synuar oligarkët, zyrtarët e lartë të inteligjencës dhe figurat më të shquara të regjimit. Departamenti i Drejtësisë do të krijojë “një grup pune për të ndjekur penalisht çdo krim”.
Praktikisht, kjo do të thotë se FBI-ja ka vënë dorën në arkivin e bollshëm të dosjeve që tashmë kishin dalë në dritë, aty-këtu edhe në 721 faqet e Raportit Mueller mbi marrëdhëniet midis elitës “Putiniane” dhe komitetit zgjedhor “Trumpian”.
Bëhet fjalë për dhjetëra e dhjetëra emra, nga industrialisti Oleg Deripaska te bankieri Sergej Gorkov, te financuesi Kirill Dmitriev. Amerikanët, pra, duket se janë seriozë: ata kanë kërkuar dhe kanë marrë bashkëpunimin e aleatëve që do të marrin pjesë në një “task-forcë ndërkombëtare”.
4 – Hapësirë për “krijimtarinë institucionale”. Dje zëvendësministrja e Jashtme, Wendy Sherman u paraqit në seancën dëgjimore të Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.
Pothuajse të gjithë deputetët i kërkuan asaj që të bëjë më shumë për të ndaluar Rusinë.
Në një moment, deputetja republikane, Nicole Malliotakis, në mandatin e saj të parë në Kongres, kërkoi që Moska të përjashtohej nga OKB. Në raste të tjera, Sherman do të ishte përgjigjur me një ngritje të supeve.
Megjithatë, dje ajo tha: “Ne e dimë se është një rrugë e ndërlikuar, ne duhet të rishkruajmë Kartën e OKB-së; por për momentin ne po shqyrtojmë të gjitha mundësitë për izolimin e Rusisë në komunitetin ndërkombëtar”.
Në 99.9% nuk do të ndodhë. Por mesazhi është i qartë: qeveria amerikane po përpiqet në çdo mënyrë të destabilizojë regjimin e Vladimir Putin.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje