Politike

Nga Dako, Bushati e Angjeli jashtë listave, te Xhafaj, Kodheli e Majko jo të sigurt

Kur Taulant Balla lexoi 160 emrat e kandidatëve socialistë në 12 qarqet e vendit, pak mëdyshje kishin mbetur pa zbardhur ende për publikun. Dilemat kryesore i shoi para tij kryesocialisti Edi Rama, kur njoftoi se listat do të përmbyseshin dhe emrat që deri në 2017-ën as që e diskutonin praninë në Kuvend do të renditeshin në “kufijtë” e mandateve të sigurta për t’u hapur krahun prurjeve të reja në krye.

Megjithatë, në daljen e këtij produkti përfundimtar me emrat e asaj që Rama e quan “skuadra fituese e 25 prillit” suprizat nuk munguan. Fatmir Xhafaj dhe Mimi Kodheli janë jashtë zonës së sigurtë të Tiranës, edhe me objektivin maksimal të vendosur nga Rama për 20 mandate në kryeqytet. Brenda këtij objektivi është emri i Pandeli Majkos i renditur i 19-ti, ndërkohë që PS ka marrë 18 mandate në 2017-ën.

Por, nëse Majko, Kodheli dhe Xhafaj kanë ende si shpresë të fundit votën vetjake, që do t’u mundësonte zhvendosjen e fituesit të fundit në listën e PS-së, për emra të tjerë që nuk u përfshinë fare në këtë listë kjo shpresë ka vdekur.

Mes dorëheqjeve dhe largimeve të kushtëzuara nga një sërë faktorësh, edhe jashtë PS-së (deklaratat e Yuri Kim) kjo listë është relativisht e gjatë dhe përmban emra me kontribute brenda socialistëve.

Musa Ulqini, Sandër Lleshaj, Ditmir Bushati, Elva Margariti, Sadri Abazi, Adnor Shameti, Senida Mesi, Anastas Angjeli, Elona Gjebrea, Besnik Baraj, Eglantina Gjermani, Sadi Vorpsi e Alfred Peza. Vasilika Hysi largohet pas 3 mandateve, Besnik Baraj pas 4 mandateve, Eglantina Gjermeni deputetet për 3 mandate dhe ish-ministre. Sadi Vorpsi, Prefekt i Tiranës largohet, Ditmir Bushati po ashtu. Kandidimin e kanë refuzuar Dritan Leli dhe Musa Ulqini që nuk kanë pranuar vendet e vendosura në listë.

Këtyre emrave u shtohet edhe emri që u “anashkalua” në heshtje; Vangjush Dako. Anëtar i kryesisë së Partisë Socialiste, ish-kryebashkiaku i Durrësit nuk u përfshi në listët e kandidatëve. Ligji i dekriminalizimit nuk ja ndalon atij kandidimin, por Ambasadorja e Yuri Kim kërkoi disa herë publikisht që personat e shpallur non grata nga SHBA për korrupsion madhor të mos u ofrohen shqiptarëve si alternativë. E prej verës së 2019-ës, Vangjush Dako është non grata në SHBA.

Rruga që u ndoq nga gjithsecili prej këtyre emrave të lënë me hir, apo me pahir jashtë listës së sigurtë nuk është e njëjtë. Ditmir Bushati dhe Fatmir Xhafaj prej kohësh nuk gëzojnë një raport të mirë me Edi Ramën dhe lënia jashtë e të parit e renditja e të dytit në vende poshtë zonës së sigurtë deri diku ishte e pritshme.

Emrat që ndoshta nuk e prisnin që të diskutonin mandatin e deputetit kanë qenë Adnor Shameti, Anastas Angjeli, Sandër Lleshaj dhe Musa Ulqini. Të tre ata nuk janë përfshirë fare në listë pas kundërshtimit të renditjes në to, ku Shameti ishte larg zonës së sigurtë në Berat, Musa Ulqini larg zonës së sigurtë në Elbasan dhe Anastas Angjeli që u përfol po në këtë qark, por që nuk u propozua fare. Surprizë ishte edhe moskandidimi i Sandër Lleshajt, që pak muaj më parë diskutohej si drejtues politik dhe kryesues i listës së socialistëve në Qarkun e Lezhës.

Emrat e tjerë janë deputetë, ministra, zyrtarë dhe ish-zyrtarë socialistë që publikisht kanë deklaruar si vendim personal refuzimin e kandidimit. Një pjesë e këtyre vendeve të lëna bosh nga socialistët është mbushur nga emrat e opozitës parlamentare që nuk dogjën mandatet, apo nga ata që pranuan të uleshin në vendet bosh në Kuvend.

Lefter Koka i LSI do të garojë i 7-ti për PS-në në Durrës, Robert Bitri e Nimet Musaj në Fier, përkatësisht i pari si i 11-ti dhe i dyti si i 18-ti. Enver Rroshi do të kandidojë në Elbasan si i dhjeti, Halit Valteri i parafundit në Tiranë, Ylli Shehu i 24-ti dhe Edmond Rrushi i 27-ti, po në Tiranë. Vasil Sterjovski do të kandidojë si i fundit në listën e Korçës, ndërsa Aurora Mara si e dyta në Dibër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë