Futboll

Nga de Ligt te David Neres, ja kush janë “galaktikët” e Ajaksit!

Të rinj premtues, që ndiqen nga klubet më të mirë të Europës. Kualifikimi i Ajaksit ndaj Realit nuk ishte aspak rastësi. Një tjetër brez i artë i ekipit të madh holandez, i njohur në gjithë botën për promovimin e talenteve, që më pas mbushin klubet e njohura në Spanjë, Angli e Itali. Një nga titullarët, mesfushori De Jong është blerë nga Barcelona për 75 milionë euro, për të tjerët ka nisur ankandi…

Ajaksi aktual po mrekullon, si në të kaluarën. Skuadra e drejtuar nga Ten Hag mund të mos krahasohet me atë të Johan Krujfit, por, siç tregojnë shifrat dhe paraqitja në sfidën e dyfishtë me Realin në Champions, duket se i ka të gjitha karakteristikat për të dhuruar spektakël në këtë edicion, por edhe kampionë të rinj për futbollin e së ardhmes. Pas disa vitesh tranzicion, Ajaksi i 2019-ës është kthyer në hapin e së kaluarës. Klubi nga Amsterdami ka rezistuar në dy sesionet e fundit të merkatos, kur shumë skuadra të mëdha kanë trokitur në dyert e tij për të blerë “xhevahirët” e grupit aktual.

Ajaksi feston një nga golat ndaj Realit në “Bernabeu”

Një nga emrat më të ndjekur nga klubet e mëdha është ai i mbrojtësit të majtë, Nikolas Taliafiko, 26-vjeçari argjentinas që ishte titullar në Botërorin e Rusisë. Dhe është pikërisht Reali që e ka kërkuar në javët e fundit. De Ligt, mbrojtësi i qendrës, i datëlindjes 1999, është edhe më i kërkuar në treg. Juventusi e kërkon për të ndërtuar mbrojtjen e re, pas “BBC”-së. Mbrojtja është shumë e rëndësishme për një ekip, por yjet e Ajaksit nuk janë vetëm të këtij reparti. Në “Santiago Bernabeu” shkëlqyen edhe sulmuesit Ziesh dhe David Neres. Dolberg është një tjetër talent. Roma pëlqen shumë 25-vjeçarin maroken Ziesh, ndërsa për 19-vjeçarin brazilian Neres mjafton të përmendet fakti se Ajaksi ka derdhur në arkën e San Paolos 12 milionë euro, një shifër rekord për një skuadër holandeze. Kurrë nuk është paguar kjo shifër për një lojtar të një kampionati të huaj në Holandë dhe tani kuptohet pse Ajaksi e ka bërë.

Kapiteni i Ajaksit, De Ligt

Për 21-vjeçarin Dolberg, sulmuesin danez, duhet përmendur fakti se ka realizuar tripletën e dytë më të shpejtë në historinë e Ajaksit, pas një farë… Marko Van Basten. Për ta rritur moshën mesatare të një prej ekipeve më të rinj në Europë, është Dushan Tadiç, “vëllai i madh” i këtyre djemve të mrekullueshëm. Futbollisti serb, që kur ka ardhur në Amsterdam nga Southemptoni, po i çudit të gjithë, siç bëri edhe ndaj Realit: 25 gola në 39 ndeshje këtë sezon, 8 prej tyre në Champions. Nëse nuk do të ishte 30 vjeç, edhe ai do të ishte në ankandin që do të niste me shifra astronomike dhe do të mbushte arkën e klubit holandez.

Por nuk përfundon këtu, sepse edhe në mesfushë nuk mungon kualiteti. Mbi të gjithë është Franki De Jong, i lindur nga ana futbollistike te Vilem II dhe pastaj i rritur te të rinjtë e Ajaksit. Një talent i kristaltë, me vizion të qartë loje dhe rritje konstante. Barcelona nuk mund të humbiste kurrsesi dhe e ka bllokuar për sezonin e ri, duke paguar rreth 75 milionë euro. U kishte pretuar katalanasve se do ta eliminonte Realin dhe e mbajti fjalën. Mënyrë më të mirë për t’u “prezantuar” te Barcelona nuk kishte. Pranë De Jong në mesfushë është Doni van de Bek, një lojtar i kudondodhur, ndoshta më pak elegant, por më dinamik në krahasim me shokun e repartit. Yjet e Ajaksit i kërkon gjysma e Europës. Ata po shkruajnë historinë, duke u dhënë fund “viteve të arta” të Realit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë