Politike

Nga firmosja në degë tek verifikimi nga një grup pune, Paloka sqaron etapat për mbledhjen e 4200 firmave

Në një postim të gjatë në Facebook, Kryetari i Këshillit Kombëtar Edi Paloka ka sqaruar ndër të tjera edhe procedurën që është ndjekur deri më tash me mbledhjen e firmave për Kuvendin e 11 dhjetorit    

“Përpara se unë të pranoja të merrja në dorëzim dhe nën përgjegjësinë time, 4200 formularët nga përfaqësuesit e firmëtarëve, pata një takim të gjatë me ta, ku ndër të tjera kërkova informacion dhe për mënyrën se si ishte proceduar me plotësimin e formularëve. Po ashtu bëra një kontroll vertikal të formularëve.

U sqarova me atë rast se formularët janë administruar në fazën e plotësimit të tyre, prej drejtuesve të PD në degë, duke filluar nga kryetarë, nënkryetarë e sekretarë degësh, deri te drejtuesit e grup-seksioneve.

Këta, të pajisur me listën e delegatëve të degës së tyre, pas mbledhjes së formularëve kanë bërë dhe seleksionimet paraprake në degë, duke administruar vetëm formularët e delegatëve dhe jo edhe të anëtarëve të thjeshtë, që mund të kenë plotësuar formularë nga dëshira për të shprehur vullnetin e tyre e mbase pa dijeni që formularët vlejnë vetëm për delegatët.

Pas kësaj faze të parë, formularët e degëve janë dorëzuar te një grup pune të ngritur në Tiranë nga përfaqësuesit e firmëtarëve. Ky grup pune ka bërë jo vetëm një verifikim të dytë të faktit nëse firmëtarët janë apo jo delegatë, por ka seleksionuar dhe formularë të plotësuar në mënyrë jo të rregullt edhe kur firmëtari ka qenë delegat. Në këto raste është rikthyer formulari për t’u plotësuar në mënyrë korrekte”, shkruan Paloka.

Ai nënvizoi se si rezultat i këtij seleksionimi nga 5000 formularë janë konkluduar në 4200.

“Të gjithë formularët e ardhur e që vazhdojnë të vijnë pas datës 10, po i administroj në dosje të veçantë pra, megjithëse dhe për ato kam kërkuar që të ndjekin të njëjtën rrugë seleksionimi.

Sa për konkretizim; jo më larg se dje, një nga deputetët më solli disa formularë të tjerë. Megjithëse deputeti ka qenë dhe drejtuesi i degës deri pak kohë më parë dhe më konfirmoi qe i njeh dhe ka verifikuar personalisht firmëtarët, unë i kërkova që fillimisht t’i kalojë te grupi i punës dhe ata të m’i dërgojnë mua si në rastet e tjera.

Të gjitha këto kërkesa dhe verifikime nga unë janë bërë sepse mora përsipër përgjegjësinë e depozitimit të formularëve duke e ditur që do të kishte debate, do hidheshin dyshime të qëllimta dhe do bëhej kjo lojë që po bëhet për delegjitimimin e tyre”, shkruan ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë