Politike

Nga Këlliçi, Bogdani, Tabaku e Alimehmeti, kush është favorit? Berisha: PD ka fituar Tiranën vetëm me profil politik

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha nuk përcolli emra konkret për kryetare bashkie kur u pyet të enjten në mbrëmje në emisionin “Opinion”, duke i mbetur parimit se atë e vendosin vetëm primaret.

Por kur u pyet për Tiranën në veçanti, Berisha la qartazi të kuptojë se PD-ja luan fort vetëm me një kandidat me profil politik.

LEXO EDHE:
– A do të garojë për Bashkinë e Tiranës? Si po ndryshojnë qëndrimet e Belind Këlliçit
– Nga zëdhënës i PD e deputet, Gerti Bogdani dhe ambicia e tij e hershme për Bashkinë e Tiranës

I pyetur konkretisht për emrin e mjekut Ilir Alimehmeti për Tiranën Berisha u përgjigj:    

“Mjeku Alimehmeti është me reputacion të plotë, të njohur. Vlerësimin tim e ka maksimal. Por a do jetë ai apo një tjetër…?, tha Berisha me të qeshur, duke iu referuar primareve. Por ku u pyet konkretisht nga Blendi Fevziu se si duhet të jetë profili i kandidatit për Tiranën, Berisha dha më shumë detaje.   

“Tiranën e kemi fituar 3 herë me profil politik, e kemi fituar 4 herë. Me Sali Kelmendin, Albert Brojkën, me Spartak Ngjelën se e fitoi Ngjela atëherë, por ja mori me banda Edi Rama dhe me Bashën. Tirana është fituar 4 herë nga PD. Me profil politik në të 4 rastet, çka do të thotë që fiton profili politik…”

Megjithatë në betejën e gjatë për Tiranën, PD-ja në garën përballë Edi Ramës gjithnjë ka luajtur me emra profilesh politike, përfshi këtu edhe Besnik Mustafajin dhe deputetin e ndjerë Sokol Olldashi. Por Berisha veçoi vetëm katër emra që sipas tij kanë pasur sukses për PD.

Eksperienca e fundit e PD në garën për Tiranën përballë Erion Veliajt rezultoi dështim kur u përfaqësua me emrin e mjekut gjinekolog Halim Kosova.  

Berisha u pyet edhe për bisedimet me kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Ai tha se ka rakorduar me Metën dhe se ky i fundit synon të fushatojë më shumë këshillat bashkiakë. Sipas tij, Meta është shfaqur pragmatist, por pohoi se beson që do të ketë një marrëveshje me të.

“Është me tezën që sa herë kemi kërkuar bashki të mëdha jemi tradhtuar nga partitë e mëdha. Për socialistët e kishte të drejtë në fakt. Ai kishte ndër mend të fushatonte fort për këshillat bashkiake…”, tha ai

Deri tani në PD po përfliten emrat e Belind Këlliçit,. Gerti Bogdanit, Ilir Alimehmetit apo edhe Jorida Tabakut për postin e kryebashkiakut.

Megjithatë nuk përjashtohet që nga primaret e PD të orientohet edhe për ndonjë emër tjetër surprizë, edhe pse kjo ka pak gjasa të ndodhe sa kohe që Berisha ou referua profilit politik më së shumti.   


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë